
VORË- Një plagosje e dyfishtë ka ndodhur paraditen e sotme në Vorë.
Ka qenë shtetasi Erges Hoxha ai që ka plagosur me thikë fillimisht një 24-vjeçar Kidi Muzhaqi, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me të vëllanë e tij Ermal Muzhaqin, oficer në ushtri.
Ky i fundit në momentin që ka parë vëllanë e plagosur me thikë, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të Erges Hoxhës.
Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy të rinjtë.
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se oficeri i ushtrisë Muzhaqi është vetëdorëzuar, së bashku me armën e shërbimit me të cilën kreu plagosjen e Hoxhës.
NJOFTIMI I POLICISË:
Sot rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H., 34 vjeç, ka plagosur me thikë në krah shtetasin K. M., 24 vjeç, banues në Vorë, pasagjer në automjetin me drejtues shtetasin E. M., 27 vjeç, (vëllezër).
Në këto momente, drejtuesi i mjetit, shtetasi E. M., (oficer ushtrie), ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka plagosur shtetasin E. H.
Të dy të dëmtuarit janë shoqëruar në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi E. M., është vetëdorëzuar në Polici, së bashku me armën e shërbimit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
/Zëri.ai