Aktualitet

"Po na 'grabisin' tokat"! Banorët e Boçovës në protestë: "Salillari" po ndërton panele diellore

Kompania në fjalë po ndërton panele diellore në këto toka, ndërsa pas protestave, pa rezultat, banorët i janë drejtuar Policisë së Fierit për të vijuar betejën e tyre ligjore.

zh.ll
"Po na 'grabisin' tokat"! Banorët e Boçovës
banoret ne boçove

FIER- Banorët e fshatit Boçovë në Fier kanë protestuar prej ditësh për zaptimin e tokave të tyre nga kompania “Bervi Construction”, në pronësi të bashkëshortes së Pëllumb Salillarit, Afërdita Salillari. Kompania në fjalë po ndërton panele diellore në këto toka, ndërsa pas protestave, pa rezultat, banorët i janë drejtuar Policisë së Fierit për të vijuar betejën e tyre ligjore.

Bëhet fjalë saktësisht për 14 familje, të cilat janë paraqitur në komisariatin e Policisë në Fier për të bërë një kallëzim kolektiv dhe kërkojnë rikthimin e tokave, pasi pretendojnë se u janë marrë saktëisht për ndërtimin e paneleve diellore. 

Fermeri Sandër Muja, njëri prej të prekurve nga kjo situatë, është shprehur se kanë 30 vite që enden nëpër institucione për të marrë certifikatën e pronësisë. Në një prononcim për mediat, ai ka kërkuar reagim nga organet e drejtësisë, pasi ato toka janë e vetmja mënyrë për të mbajtur familjet. 

“Ne këto toka i punojmë prej 30 vitesh. Jemi taksapagues të rregullt. Prej 3 dekadash endemi nëpër institucione për t’u pajisur me çertifikatë pronësie dhe befas mësojmë se prej një viti çertifikatën e pronësisë e ka marrë një kompani private. Ne i disponojmë këto toka me ligjin 7501 dhe me AMTP të rregullta, ku shkruhet se toka është në pronësi dhe jo në përdorim. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur familjet tona", u shpreh Muja.

Banorët janë shprehur të vendosur për të vijuar me betejën ligjore për të mbrojtur, sipas tyre, tokat që u janë zaptuar nga punimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB