
SARANDË- Një aksident me pasojë vdekjen e nje 15-vjeçari ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë. I mituri me inicialet E.Ç., mbeti i plagosur rreth orës 21:40, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil.
Sipas policisë, një “Benz” me drejtues shtetasin E. A., 20 vjeç, është përplasur me një automjet tip “Lancia”, i cili si pasojë e një defekti, po shtyhej nga drejtuesi D. Ç., 24 vjeç, dhe 3 shtetas të tjerë.
Që në momentin e dërgimit për në spitalin e Sarandës, i mituri ka qenë në gjendje kritike për jetën, ndërsa ndërroi jetë pak minuta më vonë. Ndërkohë i plagosur mbeti dhe drejtuesi i mjetit Lancia.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi E. A, është arrestuar nga policia.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor "Sarandë-Ksamil", ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për këtë rast, specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka goditur automjetin tip “Lancia”, që po shtyhej nga disa shtetas, për shkak se kishte pësuar defekt. Për pasojë humbi jetën në spital, njëri nga këta shtetas, E. Ç., 15 vjeç, si dhe mbeti i dëmtuar drejtuesi i automjetit “Lancia”, shtetasi D. Ç., 24 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve", njofton policia e Sarandës.
Grupi hetimor dhe po kryen veprimet në lidhje me sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI