Aktualitet

Projektligji, të huajt do të aksesojnë online të dhënat dhe bilancet e kompanive shqiptare

Kuadri ligjor shqiptar për regjistrimin e bizneseve pritet të pësojë një reformë për ta përshtatur atë me standardet e BE sipas projektligjit që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndjerrë për konsultim publik.

Redaksia Zëri
Projektligji, të huajt do të aksesojnë online të dhënat
Foto ilustruese

TIRANË- Procedura “one-stop-shop” dhe aplikimi online për regjistrim ekzistojnë prej vitesh, por Shqipëria ende nuk është e integruar në sistemin europian BRIS (Business Registers Interconnection System). Kjo do të thotë se autoritetet dhe bizneset në BE nuk mund të marrin automatikisht informacion mbi një shoqëri shqiptare përmes Portalit Europian të e-Drejtësisë, duke detyruar përdorimin e procedurave më të kushtueshme si kërkesat manuale pranë QKB-së, përkthimet dhe legalizimet.

Kuadri ligjor shqiptar për regjistrimin e bizneseve pritet të pësojë një reformë për ta përshtatur atë me standardet e BE sipas projektligjit që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndjerrë për konsultim publik.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime, ‘Për regjistrimin e biznesit’, synon lidhjen e drejtpërdrejtë të Regjistrit Tregtar me BRIS, duke mundësuar shkëmbimin automatik të të dhënave me vendet anëtare të BE-së. Kjo do të rrisë transparencën dhe sigurinë e transaksioneve ndërkufitare, pasi të dhënat bazë të shoqërive shqiptare do të jenë të aksesueshme falas nga publiku dhe autoritetet në të gjithë BE-në.

Një risi tjetër e rëndësishme është hapja e mundësisë për regjistrim 100% online për investitorët e huaj dhe diasporën, pa nevojë udhëtimi ose procedura burokratike shtesë. Njohja e identifikimit elektronik dhe e nënshkrimit digjital të lëshuar nga vendet e BE-së do të thotë se një investitor mund të hapë një shoqëri apo degë në Shqipëri nga distanca, duke shmangur prokurat, noterizimet dhe apostilimet.

Reforma sjell përfitime edhe për bizneset vendase, duke thjeshtuar dhe shpejtuar procedurat, duke ulur kontaktet fizike me sportelet dhe duke minimizuar mundësitë për praktika korruptive.

Por administrata publike do të duhet të kryejë investime në infrastrukturën IT për t’u integruar me platformën europiane, por pritshmëritë janë për rritje të ndjeshme të efikasitetit afatgjatë.

Nga pikëpamja ekonomike, reforma pritet të nxisë rritjen e numrit të bizneseve të reja dhe të tërheqë investime të huaja, veçanërisht nga BE-ja dhe diaspora. Përfitimet përfshijnë uljen e kostove për bizneset, rritjen e sigurisë juridike dhe forcimin e besimit në marrëdhëniet tregtare.

Sipas planit, brenda një viti nga miratimi, sistemi do të jetë funksional për regjistrimet online dhe i ndërlidhur me BRIS, duke e pozicionuar Shqipërinë ndër vendet me shërbimet tregtare më inovative në rajon./Monitor

Poll

MOS HUMB