Aktualitet

Protesta e dhunshme në Tiranë, ambasada amerikane thirrje shtetasve të saj: Shmangni demonstratat

Në njoftimin e saj, ambasada paralajmëron se hedhja e gurëve mund të sjellë përhapjen e protestës edhe në rrugët përreth dhe pranë godinave qeveritare.

M.K.
Protesta e dhunshme në Tiranë, ambasada amerikane thirrje shtetasve
FOTO

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin protestën që po zhvillohet në kryeqytet pasi situata është përshkallëzuar në akte dhune.

Në njoftimin e saj, ambasada paralajmëron se hedhja e gurëve mund të sjellë përhapjen e protestës edhe në rrugët përreth dhe pranë godinave qeveritare. Për këtë arsye pritet prani e shtuar e forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.

Ambasada u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes, të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore. Ajo këshillon gjithashtu që të shmangen demonstratat dhe të mbahet një plan për t'u larguar në rast rreziku.

Njoftimi

Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të shtrihet edhe në rrugët dhe blloqet përreth, si dhe pranë godinave qeveritare, duke sjellë një prani të shtuar të forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime të rrugëve. Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat. Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit.

Masat që duhet të merrni:

Forconi masat për sigurinë tuaj personale duke zbatuar këto këshilla:

– Shmangni demonstratat.

– Jini të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve, kur ndodheni në ambiente publike.

– Ndiqni mediat lokale për t’u informuar mbi zhvillimet.

– Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t’u larguar në rast rreziku.

– Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe përpiquni të qëndroni sa më pak të ekspozuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB