TIRANË- Avokati i Popullit Endri Shabani ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse Policia ka përdorur forcë të nevojshme dhe proporcionale gjatë protestës së sotme. Paralelisht, grupet e monitorimit të institucionit po ndjekin nga afër situatën e personave të shoqëruar në polici.
Sipas institucionit monitorimi po zhvillohet në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Fokusi është te respektimi i të drejtave të tyre, përfshirë të drejtën për avokat njoftimin e familjarëve dhe ekzaminimin mjekësor.
Hetimi do të mbështetet në nenet 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të vlerësuar nëse ndërhyrja e policisë ka qenë e domosdoshme dhe në përpjesëtim me situatën.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës, të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit.
REAGIMI I PLOTE:
Avokati i Popullit ka nisur, sipas detyrës, një hetim administrativ mbi përdorimin e forcës nga Policia gjatë protestës së sotme. Vlerësimi bëhet sipas neneve 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional.
Grupet e monitorimit të institucionit janë në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Po verifikohet nëse u garantohen e drejta për avokat, njoftimi i familjes dhe ekzaminimi mjekësor. Përtej hetimit kryesisht, Avokati i Popullit fton çdo qytetar që beson se të drejtat e tij janë shkelur, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale./ZËRI