Aktualitet

Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit protestojnë para Bashkisë së Gjirokastrës: Duam rritje page, nuk ikim pa takuar kryetarin

Një tjetër pretendim që punonjësit kanë është se sipas tyre, ka persona që figurojnë si punonjës të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, por që në terren nuk janë përballur kurrë me të. Për rrjedhojë, ata ngrenë dyshime se ka dhe abuzime me pagat e tyre.

F.m
Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit
Protesta

GJIROKASTËR- Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në qytetin e Gjirokastrës janë grumbulluar para Bashkisë së Gjirokastrës dhe kanë nisur protestën. Punonjësit kërkojnë rritje page që sipas tyre u është premtuar nga autoritetet bashkiake. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit shprehen se nuk kanë ndërmend të largohen nga Bashkia e Gjirokastrës pa takuar kryetarin e Bashkisë, Flamur Golemi.

“Kemi ardhur për problemin e shtesës së rrogës. Kërkojmë edhe hakun tonë, nuk kërkojmë tepër. Uniformat nuk na i japin tamam siç duhet, na rrinë këmbët si në allçi. Punën e kërkojnë. Marrim lejen, lekët e lejes nuk i jepen. Kam një fëmijë. Prej 1 viti e 6 muaj na kanë thënë që do rriten rrogat. Ne nuk shohim as rritje rroga asgjë këtu. Na thonë do u blemë veshje, jelekë, çizme. Nuk i duam fare, të na rrisin rrogat. Kaq është e drejta jonë. Të paktën të dimë edhe në se çfarë të marrim. Ne marrim 350 mijë lekë të vjetra”, shprehet punonjësit për gazetarin e Shqiptarja.com, Piro Nase.

“Duam hakun tonë, djersën tonë. Kanë një vit që na kanë thënë do u rriten pagat. Na kanë bërë kërcënime do hiqeni nga puna. Do presim kryetarin e bashkisë këtu,”- vijojnë ata më tej.

Një tjetër pretendim që punonjësit kanë është se sipas tyre, ka persona që figurojnë si punonjës të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, por që në terren nuk janë përballur kurrë me të. Për rrjedhojë, ata ngrenë dyshime se ka dhe abuzime me pagat e tyre.

“Ka edhe persona që marrin rrogën e rrinë në shtëpi. Brigadieri në moment që i pëlqen ta lejë në shtëpi, e lë në shtëpi. Jemi shumë të persekutuar, shumë të përbuzur. Nuk na njihen as pushimet e festave. Presion për largim na janë bërë, edhe sot na janë bërë. Nuk kërkojmë lëmoshë, duam të drejtat tona,”- vijojnë ata më tej.

Bashkia e Gjirokastrës nuk ka bërë asnjë reagim deri më tani.

Poll

MOS HUMB