
CËRRIK- Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia në fshatin Liçaj në Çërrik, pasi ka qëlluar me armë zjarri pas mesnatës. Policia bën me dije se në pranga ka rënë Spartak Sinani, 36 vjeç, pasi në gjendje të dehur qëlloi në ajër.
Gjatë kontrollit në banesën e tij efektivët sekuestruan armën e zjarrit pistoletë, një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 thikë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Liçaj, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri që e mbante pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neighborhood”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Spartak Sinani, 36 vjeç, banues në fshatin Liçaj.
Ky shtetas dyshohet se në gjendje të dehur, ka qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, pas mesnatës, në rrugë, në fshatin Liçaj. Nga të shtënat nuk ka patur dëmtime.
Gjatë kontrollit në banesën e 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehur në kopsht, armën e zjarrit pistoletë, ndërsa në ambientet e tjera të banesës kanë gjetur një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 thikë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZËRI