
SHKODËR-Një kullë me 30-40 kate do të ngrihet në zemër të Shkodrës, projekt ky i prezantuar nga kryebashkiaku i qytetit Benet Beci dhe kryeministrit Edi Rama. Ndërtimi i kësaj kulle ka shkaktuar zemërim dhe debat jo vetëm në politikë, por edhe në opinionin publik.
Qyetarët fillimisht paraljmëruan protesta si dhe një peticion me titull "Thuaj JO kullës në qendrën historike të Shkodrës!". Sipas tyre kulla që pritet të ndërtohet, prish harmoninë arkitekturore të mbajtur aq me fanatizëm për vite me radhë. Përtej kundërshtive publike në rrjete sociale ata shprehen se kanë vendosur të fillojnë këtë peticion për ti thënë JO kësaj vepre të përbindshme që prish ekuilibrat e një arkitekture unike në të gjithë Shqipërinë. Në peticion thuhet se projekti për ndërtimin e këtij objekti u prezantua pa asnjë njotim dhe konsultim paraprak, duke ja u shitur qytetarëve si një qasje post-moderne për të cilën paska nevojë Shkodra.

Nga ana tjetër këshilltari bashkiak i PD-së në Shkodër, Imeldi Sokoli, ka njoftuar në rrjetet sociale se të hënën e 22 korrikut në orën 19:00, në sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet protesta "kundër betonizimit të qytetit".
“Kulla nuk asht cool n'Shkodër. Ftoj të gjithë miqtë të na bashkohen në këtë marshim kundër betonizimit të qytetit tonë. Dy ditë më parë Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës prezantuan projektin e një kulle 100 metra të lartë e cila pritet të ndërtohet në zemër të qyetit. Të vënë para faktit të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike, të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron t’i kanosë Shkodrës, të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirën që jetojmë, ju bëjmë thirrje të na bashkoheni në protestë, ditën e hënë, më 22 korrik, në orën 19:00, te sheshi “Nënë Tereza”’., shkruan Sokoli.
Rama dhe Beci njoftuan se projekti i "Hotel Rozafa", do ti sjellë Shkodrës një pikë referimi edhe për turizmin, me një ndërtesë që pritet të jetë në nivelin e lartësisë 100 metra mbi tokë. Ky projekt është pritur me entuziazëm nga drejtuesit vendorë e Shkodrës dhe vetë kryeministri, por krejt ndryshe mendojnë qytetarët shkodranë. /ZËRI