
DURRËS-Nëse është vjedhur një mjet "Range Rover", mund ta gjeni në Fushë-Krujë. Atje është lokalizuar edhe makina e Herald Dervishit, e cila u vodh mëngjesin e djeshëm në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit. Vend ku ishte parkuar si gjithmonë nga pronari i saj. Por kur shkoi dje, nuk e gjeti në vendin ku e kishte lënë. Menjëherë shkoi në Polici për të denoncuar vjedhjen. Pas hetimeve, mjeti është gjetur në zonën e Fushë-Krujës, në Thumanë. Kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë kanë fiksuar dhe autorin e vjedhjes së makinës, i cili vjen në këmbë, hap derën e "Range", futet brenda qetësisht dhe largohet me mjetin e vjedhur. Mendohet se edhe ky mjet do të përdorej për ngjarje kriminale, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën me mjete të ngjashme. Jo më larg se para dy muajsh, Policia e Tiranës arrestoi një person i cili grabiti po ashtu një automjet tip "Range Rover", i cili ishte parkuar pranë stadiumit "Air Albania".
Mendohet se pasi vidhen, këto makina mbyllen në garazhe, apo në vende ku nuk kontrollohen nga Policia dhe më pas i shiten grupeve kriminale./ZËRI