
TIRANË- "Humori është privilegj i të mençurve, pra i burrave!,"-kjo deklaratë e Bujar Kapexhiut është bërë virale në rrjet, por mesa duket e ka pasur seriozisht. Madje dhe kritikat që ka marrë sot, nuk e kanë bërë që të ndryshojnë mendim. Pas deklaratës që regjisori, aktori dhe karikaturisti, Bujar Kapexhiu bëri në "TopAlbaniaRadio', mendimi i tij qëndron i njëjti.
"Femër që shkruan humor nuk ka, sepse humori është privilegj i të mençurve. (Ooo kjo ishte e rëndë, të qeshura mes moderatorëve). A e dini që ka shumë barcaleta për femrat, i sajojnë meshkujt, e dini që ka shumë barcaleta për meshkujt, i sajojnë po meshkuj, se femrat nuk kanë kapacitet për ta bërë këtë,”- u shpreh Kapexhiu, pa u tërhequr në asnjë moment nga kjo deklaratë skandaloze e tij.
Me shpresën se me orët që kanë kaluar nga deklarata e parë, Kapexhiu do të kishte ndryshuar mendim, ZËRI kontaktoi vetë me të. Gazetari Edon Kuqi, e telefonoi për ta pyetur nëse i qëndron ende deklaratës së bërë dhe përgjigjia ishte e thjeshtë: Natyrisht! Edhe pse u pyet dhe u ripyet disa herë, për t'i dhënë mundësi që të shprehë një farë pendese, qëndrimi ishte i njëjti, po aq seksist sa herën e parë.
BISEDA ME BUJAR KAPEXHIUN PËR ZËRI:
Edon Kuqi: Ju kam marrë për t'ju pyetur për një deklaratë që keni bërë, i qëndroni asaj që humori është privilegj i të mençurve, pra i burrave dhe gratë nuk dinë të bëjnë humor?
Bujar Kapexhiu: Jo, nuk është ashtu. Në përgjithësi gratë nuk merren me humorin, me letërsinë, me kinematografinë, me art, me karikaturë, e kupton? Ka shumë pak...ka shumë pak gra!
Edon Kuqi: Pra në një farë mënyre i qëndroni deklaratës së bërë në "TAR"?
Bujar Kapexhiu: Po, natyrisht! Femrat në përgjithësi nuk merren me krijimtarinë humoristike.
Edon Kuqi: Pra nuk keni ndryshuar mendim?
Bujar Kapexhiu: Është realitet, jo për ndonjë gjë. Në letërsinë shqipe ke ndonjë femër që ka shkruar vjersha humoristike, tregime humoristike, a keni?
Edon Kuqi: Në skenën botërore po...
Bujar Kapexhiu: Në skenën botërore, edhe ato që kanë qenë, kanë dalë aksidentalisht, ose gabimisht!
Edon Kuqi: Pra zoti Kapexhiu, vetëm gratë shqiptare nuk paskan humor? Sipas jush...
Bujar Kapexhiu: Jo, jo! Unë po të pyes ty, kështu siç është në Shqipëri, është gjithandej. Në përgjithësi nuk ka. Mund të ketë rrallë. Po ja që ne nuk i njohim.
Edon Kuqi: Pra paskam patur fatin vetëm unë që të njoh këto të rrallat që bëjnë humor?
Bujar Kapexhiu: Po, natyrisht, bile do bësh mirë që të na i thuash, të na i rekomandosh që t'i lexojmë edhe (nuk kuptohet qartë).
Mbase zoti Kapexhiu nuk është shumë i qartë, ose jo mirë me kujdesën, i risjellim edhe njëherë në vëmendje komedinë që edhe sot mban mbërthyer shqiptarët, ‘Pallati 176’, e cila është shkruar pikërisht nga një grua, Adelina Balashi. Por edhe vitet e fundit, mund t'i përmendim dhjetra të tjera, përshembull Raelva Shabanaj, e cila është autorja e serialit "Nina", gjithashtu shumë i ndjekur. Shembuj pafund mund të marrim edhe në botë, atje ku gratë dhe vajzat (jo femrat siç i cilëson Kapexhiu) kanë shkëlqyer duke shkruar komeditë më të njohura ndonjëherë. Meqë nuk i di, po ia listojmë bashkë me veprat e tyre më të njohura; Rachel Axler ka shkruar "Hoë I Met Your Mother"; Kristen ëiig shkruan çdo javë për "SNL"; Jen Statsky ka shkruar "The Good Place"; dhe legjenda Marta Kauffman, e cila ka krijuar (bashkë me të tjerë) serialin më të ndjekur në botë që shihet edhe pse kanë kaluar 30 vite që nga premiera, "Friends".
Ndoshta përfshirja në politikë i ka ndryshuar kuptimin e humorit Bujar Kapexhiut, ose ndoshta nuk e ka pasur fare! Ose e ka degraduar në shaka pa kripë dhe realitete paralele ku portretizon gratë dhe vajzat si inferiore ndaj tij dhe kolegëve që qeshnin dhe e mbështetën në çdo fjalë që tha. Mbase gratë dhe vajzat nuk bëjnë humor duke u portretizuar si persona me aftësi të kufizuara (Gagaçi i Salsano Rrapit) dhe "laçianë ganstera" (roli i Ukcenajt), por një gjë është e sigurtë; kanë humor aq fin saqë Kapexhiu&co ndoshta nuk e kuptojnë dot./ZËRI