
LEZHË-Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa qytete të vendit. Pasditja e kësaj të diele ka sjellë reshje të dendura bore në zonat e larta të Lezhës, ku ka prekur kryesisht segmentin rrugor Kallmet-Ungrej, në të cilin raportohen vështirësi në qarkullim.
Qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore. Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin.
Nga mbizotërimi i motit me reshje ka pasur rënie inertesh në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas, veçanërisht në vendet e quajtura “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga lartësitë e kodrave kanë rënë gurë si edhe ka pasur rrëshqitje masivesh me dhera.
Megjithatë, fatmirësisht nuk ka pasur incidente dhe situata është menaxhuar mjaft mirë. Autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme për pastrimin e rrugëve dhe për garantimin e sigurisë në këto zona./ZËRI