VLORË- Reshjet intensive të shiut kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit të Vlorës, ku prania e ujit në rrugë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe ka krijuar shqetësim për banorët veçanërisht në lagjen Pavarësia.
Situata paraqitet problematike në disa segmente rrugore, ku uji i grumbulluar po pengon lëvizjen normale të mjeteve. Ndërkohë, shqetësime janë raportuar edhe pranë banesave, ku largimi i ujërave është i vështirësuar.
Një nga problematikat kryesore lidhet me bllokimin e pusetave në lagjen Pavarësia, pasi ato janë mbushur me gurë dhe materiale të tjera inerte duke penguar shkarkimin e ujërave të shiut. Për pasojë uji mbetet i grumbulluar në rrugë dhe pranë banesave për një kohë të gjatë.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në kushtet e reshjeve të dendura, pasi pamundësia për largimin në kohë të ujërave rrit vështirësitë për banorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Problematika e krijuar në Vlorë rikthen vëmendjen te funksionimi i sistemit të kullimit të ujërave të shiut dhe nevoja për mbajtjen e pusetave të pastra veçanërisht gjatë periudhave me reshje intensive.
Ndërsa reshjet kanë vijuar të ndikojnë në gjendjen e disa rrugëve të qytetit qarkullimi mbetet i vështirësuar në segmentet ku është grumbulluar ujë./ZËRI