
TIRANË- Policia me anë të një deklarate ka bërë me dije se disa akse rrugore në vendin tonë janë bllokuar, për shkak të reshjeve të shumta të dëborës. Kështu, të pakalueshme janë akset Rruga e Arbërit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë (Malësia e Krujës).
“Njoftojmë qytetarët se akset Rruga e Arbërit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë janë të pakalueshme. Shërbimet e DVP Tiranë janë në gadishmëri të plotë për ti ardhur në ndihmë çdo përdoruesi rruge dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë, në këto zona, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112”, tha policia.
Ndërsa, të bllokuara janë edhe disa akse në qarkun Dibër dhe rruga që lidh këtë zonë me Kukësin. Policia bën me dije se për shkak të reshjeve janë bllokuar akset Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë: Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë; Peshkopi-Kuben-Kukës.
“Reshjet e dendura të dëborës vijojnë të bien në zonat e qarkut Dibër dhe për këtë shkak disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme, dhe konkretisht : aksi rrugor Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë: Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë; Peshkopi-Kuben-Kukës.
Firmat e mirmëmbajtjes së këtyre akseve po punojnë intensivisht për hapjen e tyre. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, janë në gadishmëri të plotë për ti ardhur në ndihmë çdo përdoruesi rruge dhe apelon për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë duke shkaktuar trafik dhe bllokim rruge, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rruge”, thuhet në njoftimin e policisë.
Moti i keq ka përfshirë gjithë territorin e vendit tonë. Reshjet e shiut dhe të borës kanë bllokuar disa akse në veriun e vendit, ndërsa shumë rrugë të tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë./Zëri.ai/