
TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Trupa e gjykimit e përbërë nga Sokol Binaj, Albana Boksi dhe Sandër Simoni vendosën kthimin e çështjes për rishqyrtim në po të njëjtën gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese. Trupa e re do të rishikojë vendimin për dënimin e Festim Bexhdilit dhe Olsi Turjas për zhdukjen e Prengës. Bexhdili u dënua me burg përjetë, ndërsa Turja u dënua me 3 vite burg pasi akuzohet se ka kryer veprime që fshehin zbulimin e të vërtetës.
“Prishjen e vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.”
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi (aktualisht i arrestuar në Turqi), Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar./ZËRI