TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë për rregulloren e brendshme të Gjykatës së Posaçme Antikoprrupsion (GJKKO). Me argumentin se censuron drejtpërdrejt punën e medias dhe gazetrëve, AGSH kërkon pezullimin e saj dhe më pas shfuqizimin e pjesës që lidhet me mediat dhe gazetarët.
Në hyrje të Gjykatës, kreu i AGSH, shprehu zhgënjimin se pavarësisht thirrjeve të gazetarëve për dialog dhe konsultim, Gjykata e Posaçme nuk krijoi asnjë urë komunikimi me ta.
“Kemi paraqitur kërkesën për të pezulluar rregulloren e GJKKO-së, dhe më pas për ta shpallur atë antikushtetuese. Jemi të bindur që ajo rregullore cenon lirinë e medias dhe të drejtën e gazetarëve për t’i përcjellë publikut atë çfarë ndodh brenda GJKKO-së. Rregullore censuruese ndaj mediave. Shpreh zhgënjimin ndaj GJKKO-së, ku pavarësisht thirrjeve tona për një dialog, tryezë diskutimi, GJKKO nuk ka marrë mundimin të kontaktojë gazetarët ose të krijojë ura komunikimi që kjo rregullore të bëhet më e mirë për lirinë e shprehjes.
Ankimi duhet bazuar në Kushtetutën e Republikës. Pika kryesore që kemi ngritur është prekja e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, janë dy nga shtyllat kryesore të demokracisë. Ne kemi saktësuar në padinë prej 127 faqesh të gjitha shqetësimet tona, përfshirë aksesin në drejtësi të medias dhe qytetarëve. Formularët për të aksesuar një grup ëhatsApp janë absurde dhe të pakuptimta. Është në dorën e 8 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ka shkelje kushtetuese dhe deri ku shkon”, tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH.
Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore.
Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI