
DURRËS- Një punonjës policie i repartit "Shqiponja" ka mbetur i plagosur me thikë në qytetin e Durrësit. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se një qytetar që ishte shfaqur në Currila me një thikë në dorë është rrethuar nga policia.
Teksa një efektiv i policisë i është afruar për ta neutralizuar, është goditur me thikë. Efektivi ka marrë lëndime dhe ndodhet në spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore.
Policia ka shoqëruar agresorin, 38-vjeçar me inicialet F.C.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, agresori ka tentuar të plagosë me thikë efektivin në pjesën e brinjëve, por jeleku i policisë e ka mbrojtur policin nga një dëmtim i mëtejshëm.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëviste në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
ZËRI