
KORÇË- Dhjëtëra familje në nevojë kanë protestuar këtë të mërkurë përpara bashkisë së Korçës, pas rritjes së çmimit të qirasë në banesat sociale që jepen nga bashkia. Banorët shprehen, se vlera e qirasë për banesat sociale do të rritet me 700 lekë për garsonierat, 1300 lekë për apartamentet 1+1 dhe 1600 lekë për apartamentet 2+1. Sipas tyre, kjo rritje është e papërballueshme për ta, pasi kanë probleme të shumta sociale.
Ndryshimi është miratuar gjatë paradites të së martës në mbledhjen e këshillit bashkiak në Korçë, pas materialit të sjellë nga ekzekutivi ku sqarohej se ky ndryshim në nivelin e qirasë kryhet për shkak të indeksimit të çmimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimit Social në Korçë ka deklaruar se kjo rritje ka ardhur gradualisht përveç viteve të pandemisë, ndërsa shton se banorët janë njoftuar.
Në Korçë janë gjithsej 98 familje që preken nga rritja e nivelit të qerasë. Banorët thonë se vetëm 20% e tyre janë në marrëdhënie pune, ndërsa pjesa tjetër është me probleme të shumta ekomomike me pensione invaliditeti dhe pleqërie. Ata kërkojnë që Bashkia ta rrëzojë atë vendim, ndërsa kërkojnë nga institucioni vendor që të mbajë premtimin për privatizimin e banesave./ZËRI