TIRANË- Propozimi i Partisë Socialiste për riorganizimine ri administrativo-territorial ka sjellë nisjen e dëgjesave publike në Qarkun e Elbasanit, të cilat janë zhvilluar me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve. Raportohet se takimet e parashikuara në Belsh, Cërrik dhe Prrenjas janë përballur me salla thuajse bosh.
Në Belsh Këshilli Bashkiak kishte parashikuar 5 dëgjesa publike në qytet dhe në njësitë administrative Kajan, Grekan, Fierzë e Rrasë. Por, pavarësisht njoftimit që prej datës 10 gusht, raportohet se pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë mjaft e ulët. Edhe në Prrenjas konsultimet janë zhvilluar me interes të ulët. Në Prrenjas janë zhvilluar vetëm dy mini-takime me pjesëmarrje mjaft të ulët. Në këto kushte, pritet që Këshilli Bashkiak i Belshit të mblidhet sërish për të miratuar një kalendar të dytë takimesh.
Drafti i Partisë Socialiste parashikon ndryshime rrënjësore në hartën administrative të Qarkut të Elbasanit. Sipas propozimit të PS-së, Belshi dhe Cërriku do të përfshihen në Bashkinë e Elbasanit, ndërsa Prrenjasi parashikohet të bashkohet me Bashkinë e Librazhdit.
Propozimi i Partisë Socialiste për Reformën Territoriale 2.0 ka nxitur protesta në disa prej bashkive që parashikohen të shkrihen, që prej prezantimit të draftit.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI