TIRANË- Një fëmijë, vetëm 3 vjeç, është dhunuar! Madje aq shumë saqë dyshohet se edukatorja, ajo që duhet ta donte, ta rriste dhe ta edukonte, i theu këmbën duke i ndërprerë vrapin e moshës. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor, por u tentua me çdo kusht që të fshihej. U lëviz çdo gur, e vetëm sot, 8 ditë pas ngjarjes, u vendos në pranga personi përgjegjës, edukatorja Majlinda Dehima.
Sot u zgjua edhe Ministria e Arsimit që të ngrinte një “task forcë” për të kontrolluar si-motrat e saj, e po ashtu u detyrua edhe Policia që ta vendoste në pranga. Arrestimi i saj duket se ka qenë gjëja më e tmerrshme që mund të bënin efektivët, që nuk lëvizën dhe tentuan të manovronin me procedura derisa më në fund Prokuroria e Tiranës preu fletën e arrestit. S’ka më liri! Dhunoi një fëmijë dhe duhet të përgjigjet deri më një për të gjithë atë që ka bërë ndaj vogëlushes në fjalë, apo dhe në ndonjë rast të mëparshëm që ka kaluar ashtu siç do të ndodhte edhe me këtë rast po të mos bëhej publike!
Si në çdo vend të civilizuar, ka një ligj që të mbron.
Askush (përveç ndërgjegjes) nuk të ndalon që të kryesh një krim të çfarëdo lloji, por a përballet dot me pasojat? Pjesën e dytë duket se edukatore “Lina” e kishte të rregulluar mirë e bukur!
Kur dikush dhunon fëmijën tënd, si në rastin e çiftit, instinkti i parë që ka çdo qënie frymore, edhe kafsha, është të hidhet në mbrojtje. Por si njerëz të civilizuar, të dy prindërit, edhe pse kishin vajzë në spital shkuan për ta denoncuar. Sigurisht që as nuk u morën parasysh! Dikush tjetër ishte kujdesur më parë që të gjithë ankesat e tyre të binin në vesh të shurdhët. Nisur që nga polici i gatshëm që ka qenë atë natë në Komisariatin nr.1, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar.
Injorim total! Me të dalë videoja, 3 efektivë u pezulluan nga detyra. I pari ishte zv.shefi i Komisariatit Rustem Dervishi; shefi i Krimeve, Ylli Çako dhe efektivi Ergys Brahimaj. Për të gjithë nisi një hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa rezultati ka dalë sot. Edhe pse të katërt janë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se e kanë neglizhuar çështjen, jo të gjithë janë ndëshkuar. Nga të katër, dosja është katandisur në vetëm 2 të proceduar, janë Ylli Çako dhe nënkomisari, Bledar Rushiti, specialist për Hetimin e Krimeve, në këtë Komisariat.
Dyshohet se kanë neglizhuar çështjen, pasi as kanë denjuar që të verifikojnë dokumentacionin e kopshtit, që rezultoi më vonë që ishte i palicensuar. Madje bënte kërdinë edhe me fshehjen e të ardhurave, por çuditërisht nuk u provua dot nëse kishin marrë ryshfet apo jo.
“Hetuesit po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat. Kjo mbetet në kuadër të dyshimeve fillestare pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze të tillë,”-shkruhet në njoftimin e AMP-së, i cili ngjall shumë pikëpyetje.
-Si ka mundësi që këta efektivë të kenë vepruar të vetëm pa kontrollin e shefit të tyre, në këtë rast Dervishit?
-Nëse ditën e ngjarjes nuk ka rënë në kontakt me dosjen, të nesërmen që u bë publike, pse nuk u ndërmor asnjë masë shtesë?
-Pse u injorua denoncimi i familjes për dhunën e ushtruar?
-A janë takuar po atë natë edhe me bashkëshortin e drejtoreshës?
“Zëri.ai” ishte në ambientet e kopshtit në momentin që iu vu dryni nga dy efektivë të rendit. Po ashtu, dëgjoi shumë mirë bisedën mes tyre.
“Hajde mbylle vëlla, vëri çelësin. Takohemi poshtë,”-thanë efektivët dhe më pas vendosën që të prisnin poshtë bashkëshortin e drejtoresësh, i cili nuk pranoi që të jepte asnjë prononcim por tha vetëm se gjithçka e kishte deklaruar në Polici. Mesa duket jo!
Mitdhënia nuk është provuar, por nuk do shkencëtarë për ta provuar! Ka një vijë të hollë që e ndan morale nga imoralja. Por pazar me jetën e një fëmijë nuk mund të bëhet. Ndryshe ka mbaruar humaniteti dhe respekti për uniformën. Megjithatë, edhe kjo çështje, nga gjasat do të mbyllet si shumë të tjera. 2 efektivët me më pak peshë në uniformë do të dënohen.
Tek kupola kur do shkojmë? A ka përgjegjësi shefi i Komisariatit, Petrit Hala? Përse nuk ka folur ende për këtë ngjarje që kanë shkaktuar vartësit e tij? Edhe sa fëmijë do të duhet që të dhunohet, derisa Policia të bëjë detyrën që ka zgjedhur me vullnet të plotë të bëjë. Ndryshe, çfarë i ndryshon nga Majlinda, të cilës i vunë prangat?
Ndoshta, këto rreshta bie rasti që të lexohen nga personi i duhur, që askush që sadopak ka ndikuar në mosndëshkimin e dhunesëve të mbajë përgjegjësitë e veta. Qoftë shefi i Komisariatit, qoftë OPGJ-ja që thjeshtë ka kryer veprimet e para. Nuk ka më kohë për falje! Nuk ka më vend për falje, duhet të kuptohet qartë dhe pastër: Nuk bëhet pazar me gjithçka!
Jo me fëmijët të paktën…/Zëri.ai