
TIRANË- Policia ka vënë në pranga shoferin e një urbani në Tiranë, pasi ka hapur aksidentalisht derën e për pasojë u dëmtua një pasagjere. Gruaja u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja ndodhi në bulevardin “Zogu i Parë”. Lidhur me ngjarjen është arrestuar shoferi i urbanit, shtetasi me inicialet Sh.H., 64 vjeç.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan Sh. H., 64 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar një autobus, në bulevardin “Zogu i Parë”, dyshohet se aksidentalisht ka hapur derën e autobusit dhe si pasojë është dëmtuar shtetasja Z. B., 78 vjeçe, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, tha policia në një njoftim të shkurtër për rastin në fjalë.
Policia nuk jep më shumë detaje mbi rrethanat se si ka ndodhur aksidenti, ndërkohë që nuk saktësohet se cilës linjë i përkiste autobusi.