
BRUKSEL- Zbërdhimi i aplikacionit "SKY ECC" ka zbuluar një rrjet kriminal shqiptar me bazë në Belgjikë. Në krye të grupit ishin tre persona që organizonin të gjithë anëtarët e tjerë dhe siguronin lidhje me vendet e Amerikës latine për kokainën. Droga, në mënyra të ndryshme vinte në Belgjikë dhe shitej. Po paratë ku shkonin?
Për këtë mendonin Arben I., Artur S. dhe Bashkim O., të tre të pandehur për grupin që tashmë është në shënjestër të drejtësisë belge. Sot, nga gjyqi u zbulua se të pandehurit janë takuar me zyrtarë të lartë shqiptar për të diskutuar për ndërtimin e kullave në Tiranë. Formë kjo, për të pastruar paratë e grumbulluara nga trafiku i drogës. Sipas mediave të huaja, zyrtarët shqiptarë thuhet se morën pjesë në këtë takim për të lehtësuar marrjen e lejeve të ndërtimit dhe si "këmbim" morën një orë me vlerë 400 mijë euro në këmbim të këtyre lejeve.
Edhe pse ngjarja dëshmohet nga mesazhet, nuk dihet as emri dhe as pozita e këtyre personave "të rëndësishëm" të pushtetit. Por ZËRI ka mundur që të mësojë emrat e 2 nga 3 bossave të grupit. Bëhet fjalë për Bashkim Osmanin dhe Artur Shehun, të dy personazhe shumë të njohur të botës së krimit, që kamufloheshin si biznesmenë.
Kush është Bashkim Osmani?

Për herë të parë për të u shkruajt në vitin 2022! Pikërisht atëherë kur mendohej se klani i vëllezërve Osmani duket kishte kapur “majën”! Nga emigrantë që i largoheshin luftës në Kosovë, ishin vendosur në Majorka, vend që do të kthehej në mbretërinë e tyre. Aktiviteteti i tyre kriminal u kishte sjellë, para, prona, vepra arti, e mundësi për të qënë “on top”. E ata kishin ditur se si ta shfrytëzonin duke kishin ngritur “stekën”. Jo me njerëz që ndoshta nuk do t’u duheshin kurrë, por me personalitete të larta të vendi, yje botërorë dhe njerëz me pushtet, nga të dyja kahet politike. Si nga Partia Demokratike, por ashtu edhe nga socialistët. Mediat e huaja i nxorrën pamje në krah të ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë së Sali Berishës, Flamur Noka.
Koha nuk dihet se kur janë shkrepur fotot për të llogaritur nëse Noka ka qenë në postin e ministrit të Brendshëm apo jo, por duket se kanë afrimitet mes tyre. Nëse sheh afër në foto, dallon edhe një tjetër personazh të njohur, një nga personat më të afërt të kupolës që Partisë Demokratike që nga vitet 2000, biznesmenin Myftar Lumneshi. Por jo vetëm kaq! Kanë pozuar shpesh herë edhe krah Shkëlzen Berishës. Edhe djali i ish-kryeministrit është parë po ashtu nën shoqërinë e tyre dhe në hotele luksoze, siç ka qenë rasti i vitit 2016, në Ritzi Restaurant Puerto Portals, ndërsa shoqërohej nga e fejuara e tij, Armina Mevlani.
Por Spanja nuk ishte vendi i vetëm ku kishin aktivitet! Vëllezërit Qazim (me nofkën Feliks), Burim, Bekim dhe Bashkim Osmani kishin lidhje të forta edhe në Belgjikë. Atje ku e prisnin kokainën. Pasi i vendosën në pranga, autoritetet spanjolle listuan edhe vendet e tjera ku kishin shtrirje vëllezërit nga Kosova.
“Ne e dinim se kishte hetime të ngritura në Belgjikë, Gjermani dhe Itali, të cilat nuk kishin përfunduar,”- shpjegonin hetuesit e Gardës Civile spanjolle, të cilët për operacionit për prangosjen e tyre, i vunë emrin "Shqiponja e zezë". I njëjti emër që përdoret edhe për gjyqin në Belgjikë.
Kush është Artur Shehu?
Jeta në Vlorë në fund të viteve 1990 ishte shkatërruese pasi qyteti ishte tërësisht në prangat e bandave lokale. Shehu, ishte i njohur në mesin e Policisë në Vlorë në atë kohë për veprimtari kriminale, sipas një ish-shefi të policisë së Vlorës i cili kërkoi të mos përmendej me emër për arsye sigurie.
“Ai kishte një hotel dhe më vonë ndërtoi një kazino,”-tregonte ai. Koha e Shehut në Vlorë përfundoi pas përplasjes me armë në 1999 në lokalin e tij, ku i vranë dy persona të besuar edhe xhaxhain. Kështu Shehu vendosi që të niste një jetë të re në Amerikë. Në 2005, ai u transferua në Miami, ku ndërtoi një vilë të stilit kolonial me pamje nga një fushë golfi, e kompletuar me kolona dhe të zbukuruar. Prona mendohet se vlen deri në 3 milion dollarë.
Megjithëse Shehu kaloi gati dy dekada duke jetuar në Miami si emigrant, hetuesit italianë të antimafias besojnë se ai ka vazhduar të bëjë biznes në Shqipëri, ndonjëherë pretendohet se e ka bërë në emër të gangsterëve italianë. Guglielmo Cataldi, një prokuror në Lecce, tha se Shehu u hetua në vitin 2012 për rolin e tij në investimin e parave në Shqipëri për Albino Prudentinon, një anëtar i vjetër i organizatës mafioze italiane “Sacra Corona Unita”.
Nga viti 2009, Prudentino mori me qira një pjesë të një ndërtese luksoze në pronësi të Shehut në lagjen "Uji i Ftohtë" të Vlorës. Kështu pa rënë në sy, shefi i mafies italiane drejtoi një restorant dhe një dyqan akulloresh në katin e parë si dhe një kazino, në një kat më lart. Vetëm se Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013 për pastrim parash të mafies përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vjet burg. Ndërsa Prudentino bëri burg, Shehu bëri 1 milion euro pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, pasi nuk kishte asnjë provë që ta implikonte.
Me shumë gjasë, në Majami ishte njohur edhe me vëllezërit Osmani, duke krijuar së bashku me një të tretë një perandori të një rrjeti trafiku droge. Ishin të sigurtë derisa "Sky" u zbulua. Tashmë bashkë me ortakun tjetër do të duhet të japin llogari para drejtësisë belge për të gjithë aktivitetin e tyre dhe dyndjen me kokainë që i kanë bërë vendit. Gjyqi po vazhdon dhe pritet të zgjasë deri në 1 muaj. Dëshmitë po publikohen nga mediat vendase dhe më shumë detaje po zbulohen! Ndoshta edhe kullat që kanë ngritur diku nëpër Tiranë./ZËRI