Aktualitet

Shtyhet vendimi për “21 Janarin”, seanca e radhës publike

Mësohet se seanca e radhës do të jetë publike në Gjykatën e Lartë.

f.t
Shtyhet vendimi për “21 Janarin”, seanca e radhës publike
viktimat e 21 janarit

TIRANË-Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën, ku pritet të merret përfundimisht një vendim se kujt i takon për ta hetuar çështjen e “21 Janarit”, Prokurorisë së Tiranës apo Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mësohet se seanca e radhës do të jetë publike në Gjykatën e Lartë. Kjo pasi Kolegji ka vlerësuar të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore.

Gjykata e Lartë po shqyrton kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kanë kërkuar që çështja të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme të gjyqësorit dhe të urdhërojë Prokurorin e Posaçme të regjistrojë procedimin penal.

Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra në demonstratën e mbajtur nga Partia Socialiste më 21 janarit të vitit 2011. Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. Në rekursin e bashkëshortes së Aleks Nikës, thuhet se Prokuroria e Tiranës e ka mbajtur hetimin për 21 janarin për 2 vjet e 6 muaj pa bërë asnjë veprim për zbardhjen e ngjarjes.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB