TIRANË- Gjin Gjoni arriti ëndrrën e tij më të madhe; atë të futjes në politikë! Të shtunën ai u zgjodh kryetari i degës së PD-së së Rithemelimit në Lezhë, duke fituar me një rezultat të thellë ndaj dy kandidatëve përballë tij. Gjoni siguroi 604 vota kundrejt kandidatëve, Albert Rrusti që siguroi 312 vota, ndërsa Paulin Marku, 131.
Pas fitores, mbajti edhe një fjalim sipas rastit, duke u shprehur se: Situata politike në të cilën ne ndodhemi është shumë e kritike. PD e Lezhës ka objektiva të qartë për 2025-n.
Me shumë gjasa, tani do të tentojë që të futet në listë për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm se ka harruar se edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë do t'i hetohet pasuria, e cila nuk i ka kalaur kurrë në sitë. Edhe pse ka shumë shkelje flagrante. Për shembull, në vitin 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi në Prokurori ish-gjyqtarin e Apelit Gjin Gjonin dhe bashkëshorten e tij Elona Çaushi, për fshehjen e burimeve të pasurisë së tij familjare me vlerë rreth 2.4 milionë euro si dhe për falsifikim dokumentesh. Atë vit, në dosjen e raportuar për "Shqiptarja.com" nga gazetari Adriatik Doçi, ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë. Burimin e të cilës e kishte të dyshimtë. Ndaj, duke marrë parasysh kallëzimin e bërë nga ILDKP, në maj të vitit 2014 e thirri Gjonin për të dëshmuar.
Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para të mjaftueshme, e kësisoj nuk kishte vilë.
“Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit.”
Por pretendimin e tij e ka hedhur poshtë e shoqja! Kjo e fundit, 3 vite më vonë, në vitin 2017 në një intervistë për gazetaren Mira Kazhani dha një tjetër version për vilën. Sipas asaj që tha Elona Çaushi, nga blerja e pronës nuk kishin hequr dorë për shkak të çmimit, por sepse i mungonte kryeqyteti dhe Tirana. Në asnjë moment nuk e përmend problemin e çmimit.
“Tek vila e kemi thënë dhe stërthënë, kemi dëgjuar nga të tjerë variante të ndryshme, nga të tjerë dhe e kam të vështirë të bëj dallimin, çfarë është thënë, ku është thënë dhe ku është e vërteta. E vërteta është kjo që po u them unë , që ajo ishte një kontratë porosie, do të thotë e marr nuk e marr, janë bërë disa transaksione, por në fund vendosa se më pëlqen zhurma e qytetit, nuk më pëlqen ajo qetësia absolute e vilave atje, apo tek vila e Kodrës së Diellit. Më pëlqen në apartament, afër qytetit, janë gjërat më të kapshme më praktike, kjo është,”-thoshte Elona Çaushi.
Mirëpo me futjen e Gjonit në politikë, do të kontrollohet pasuria e tyre. Por deri atëherë, ndoshta bien në një mendje./ZËRI