TIRANË- Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, 14 prej të cilave vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit të Mbrojtjes, situatat kryesore janë në Shkodër, Tiranë, Dibër, Lezhë dhe Berat, ku vijon përballja me flakët. Ndërkohë, në qarqe të tjerë disa vatra janë shuar plotësisht e disa tjerë nën mbikëqyrje.
Në terren janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.
Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Situatat kryesore aktive janë:
* Shkodër: vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka e ajri, përfshirë 71 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Aktive janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
* Tiranë: aktive vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.
* Dibër: aktive janë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga FA.
* Lezhë: aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; në këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk raportohen banesa në rrezik.
* Berat: aktive vijon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.