TIRANË- Sistemi antidron, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në qeli nëpërmjet këtyre mjeteve fluturuese, pritet të vendoset në 5 paraburgime dhe burgje të sigurisë së lartë.
Konkretisht, ky sistem do të vendoset në paraburgimin 313 në Tiranë, në të cilin ndodhen më të rrezikshmit e botës së krimit në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë paraburgim ndodhen edhe 13 të penduar të drejtësisë, të cilët me rrëfimet e tyre kanë ndihmuar prokurorinë të cmontojë banda të rrezikshme kriminale. Gjithashtu, ky sistem do të vendoser edhe në burgjet e sigurisë së lartë në Drenovë, Fier, Peqin në burgun e Reçit në Shkodër. Në këto burgje vuajnë dënimin eksponentë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Pavarësisht se vendet e vuajtjes së dënimit monitorohen nga kamera sigurie, sipas ekspertëve kjo nuk mjafton për të identifikuar dronet, sidomos në distanca të mëdha. Për këtë, sistemi antidron shihet si një masë e rëndësishme, e cila do të forcojë ndjeshëm sigurinë e IEVP-ve, duke parandaluar aktivitete të paligjshme si kontrabanda, survejimi i paautorizuar, apo tentativat për arratisje.