Aktualitet

S'ka pushime për "blutë"! Punonjësit e Policisë në "gatishmëri", nga sot fillon shërbimi 12 orë

Këtë sezon (20 qershor-15 shtator), do të jenë nga 12 orë në shërbim të qytetarëve. Gjithashtu nuk do të kenë asnjë ditë pushim.

k.m.
S'ka pushime për "blutë"! Punonjësit e
Foto ilustruese

TIRANË- Turistët, ngjarjet kriminale që janë kthyer në "zakon" gjatë sezonit të verës dhe lëvizjet e qytetarëve do të lënë pa pushim punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas një urdhëri të lëshuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, asnjë punonjës policie nuk do të duhet që të bëjë plane për pushime veriore. Përkundrazi, këtë sezon (20 qershor-15 shtator), do të jenë nga 12 orë në shërbim të qytetarëve. Gjithashtu nuk do të kenë asnjë ditë pushim.

Sipas dokumentit të siguruar nga "ZËRI", pushimet që nuk do të merren në sezonin e verës, efektivët do t'i plotësojnë përgjatë pjesës së mbetur të vitit kalendarik 2024.

S'ka pushime për "blutë"! Punonjësit e

URDHRI I 18 QERSHORIT:

1. Të anulohen pushimet vjetore të planifikuara të vitit 2024, në periudhën nga data 20 Qershor 2024 deri në datën 15 Shtator 2024, për të gjitha strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat ngarkohen me detyra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.

2. Drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturave të veçanta, të riplanifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve të policisë që u anulohet kryerja e tyre, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik 2024.

3. Drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të policisë, si dhe të strukturave të veçanta, deri në datën 25.06.2024 te informojnë Drejtorinë e Burim Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për numrin e punonjësve policisë sipas strukturave që u janë anuluar pushimet vjetore të planifikuara, për shkak të shërbimeve që do të kryhen për garantimin e sezonit turistik veror 2024.

4. Drejtoria e Burimeve Njerëzore, deri në datën 01.07.2024 te informoje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

5. Në raste të veçanta për arsye të motivuara, drejtuesit e strukturave policore, të miratojnë pushime të pjesëshme vjetore për punonjësit e policisë të varësisë.

6. Për zbatimin e këtij Urdhri ngarkohen, drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.

7. Për kontrollin e zbatimit të detyrave të përcaktuara në këtë Urdhër ngarkohen, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtorët e departamenteve dhe drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Aktualisht, në të gjithë vendin ka rreth 11 000 punonjës të Policisë së Shtetit që do të jenë shpërndarë në të gjithë vendin, si në zonat bregdetare dhe qytetet turistike, edhe në Tiranë, ku do të duhet që të kujdesen për ruajtjen e rendit. Po ashtu, vlen për t'u theksuar se kjo është hera e parë që merret një masë e tillë për punonjësit e Policisë, pasi parashikohet që të ketë një "boom" turistësh. Deri në prill, në territorin shqiptar hynë 1.4 milionë shtetas shqiptar dhe të huaj, ndërsa sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Turizimit, totali bashkë me sezonin e verës, pritet që të kapë 15 milionë vizitorë./ZËRI

Poll

MOS HUMB