Aktualitet

Skandali në "Durrës Marina”/ Qytetarët nisin të anulojnë prenotimet e apartamenteve pas alarmit për sigurinë e godinave

Gjendja e krijuar ka sjellë konfuzion dhe tension mes blerësve, të cilët shprehen se nuk kanë marrë garanci të mjaftueshme mbi sigurinë strukturore të projektit, i cili më herët ishte prezantuar si një nga investimet më të mëdha dhe më moderne në vend.

Redaksia Zëri
Skandali në "Durrës Marina”/ Qytetarët nisin të
foto ilustruese

Pas investigimit të publikuar nga emisioni Piranjat në lidhje me zhytjen e pallateve në “Durrës Marina”, ditën e djeshme erdhi një reagim zyrtar nga IKMT Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, i cili pranoi zyrtarisht se dy godina në projektin “Durrës Marina” kanë pësuar ulje strukturore, situata në terren ka filluar të ketë pasoja të drejtpërdrejta te blerësit e mundshëm.

Burime për Piranjat News bëjnë me dije se gjatë ditës së sotme, një numër qytetarësh që kishin prenotuar ose ishin në proces blerjeje të apartamenteve në kompleks, janë paraqitur pranë zyrave të shitjes për tu tërhequr nga kontratat apo rezervimet e tyre. Sipas këtyre burimeve, vendimi është nxitur nga pasiguritë e krijuara pas publikimit të të dhënave mbi fundosjen e godinave dhe reagimeve zyrtare të institucioneve.

Gjendja e krijuar ka sjellë konfuzion dhe tension mes blerësve, të cilët shprehen se nuk kanë marrë garanci të mjaftueshme mbi sigurinë strukturore të projektit, i cili më herët ishte prezantuar si një nga investimet më të mëdha dhe më moderne në vend.

Pas denoncimeve publike nga Piranjat dhe së fundmi konstatimeve të IKMT-së, besimi i publikut ndaj projektit duket se është lëkundur ndjeshëm, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi ecurinë e tij dhe sigurinë e strukturave të ndërtuara.

Autoritetet dhe kompania zbatuese ende nuk kanë dhënë një reagim mbi situatën, ndërsa qytetarët kërkojnë transparencë të plotë dhe garanci për çdo hap të mëtejshëm të projektit./Piranjat News

Poll

MOS HUMB