TIRANË- Për të marrë 50 mijë lekë ndaj një kallëzuesi, efektivi i Policisë së Shtetit, Kastriot Palushi "dogji" karrierën e tij. Pasi u kallëzua nga personi që i kishte vënë "syrin" që të zhvaste, Palushi përfundoi në prangat e kolegëve të Agjensisë Mbikqyrësë të Policisë. Por jo vetëm kaq! Ai u përjashtua nga radhët e efektivëve, ndërsa një tjetër hetim ka nisur për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit nr.4 në Tiranë. Palushi nuk është i vetmi efektiv i Policisë së Shtetit që ka përfunduar në rrjetën e AMP-së, pasi përgjatë gjithë muajit qershor ka disa raste në qytete të ndryshme të vendit.
Më i fundit ishte rasti i sotëm! Sot u arrestua Fatmir Balaj, 49 vjeç, specialist kriminalist në sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore. Ky i fundit akuzohet ka zëvendësuar një USB, e cila do të shërbente si provë kryesore në dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një subjekti privat, që ishte nën hetim për “mashtrim kompjuterik”, përmes platformës Forex në një "call center" në Korçë. Dhe nuk është as i fundit!
ZËRI ka përmbledhur të gjithë aksionet që AMP e Tiranës ka ndërmarrë duke vendosur në pranga efektivët që shkelin ligjin, në vend që të bëjnë detyrën. Në vend që të luftojnë paligjshmërinë, përfundojnë duke u bërë palë me të. Që në nisje të muajit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi një punonjës policie në pikën kufitare të Qafë-Botës për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë. Në prangat e policisë ka rënë efektivi me iniciale B.H., me detyrë përgjegjës turni. Polici gjatë kohës që ka qenë me shërbim kalonte këto mallra kontrabandë për të furnizuar biznese të ndryshme në Sarandë, në një vlerë që përllogaritet të jetë rreth 10,000 euro në muaj nga shit-blerja e mallrave.
Më 4 qershor u zhvillua një aksion në aeroportin e Rinasit! Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas disa muajsh hetime goditi një skemë korrupsioni në radhët e policisë kufitare. Në kërkim u shpall inspektori Briken Tereziu, ndërsa masa e "arrestit me burg" iu komunikua brenda qelisë edhe Eneo Sulejmanit, i cili ende ndodhet në burg pasi u kap me 1 kg kokainë. Masa më të lehta janë dhënë për 7 efektivë të tjerë, që nga marsi i vitit 2023 deri në 2014 lejonin persona të ndryshëm që të kalonin kufirin, për sa kohë u jepnin para.
Një punonjës i Gardës së Republikës, inspektori me inicialet A.LL., 49 vjeç, u arrestua pasi teksa udhëtonte me mjetin e tij dhe në gjendje të dehur, dëmtoi tre automjete të parkuara. Festim Xhafaj, efektiv në Komisariatin e Himarës, u vu në pranga pasi ishte shpallur në kërkim për përndjekje dhe përplasje me makinë të koleges së tij, me të cilën kishte një raport intim. Një tjetër punonjës policie i Komisariatit Nr.4 në Tiranë është pezulluar nga detyra pasi mësohet se ka nxjerrë informacion për një aksion policor për kapjen e disa autorëve të kultivimit të një parcele kanabisi. Efektivi Ervin Dajti, 38-vjeç, njoftoi të afërmin e tij se në zonën ku ai kishte mbjellë kanabis, do të shkonin patrullat për kontroll.
Kështu, brenda një muaji na është provuar në dhjetra raste lidhja e efektivëve të shtetit me paligjshmërinë. Teksa të gjithë efektivëve u është kërkuar që të plotësojnë formularë vetëdeklarimi (2) për përdorimin e aplikacionit "SkyECC", apo për lidhjet që kanë me personazhe të botës së krimit, por në fakt çështja është më e thjeshtë se kaq! Jo të gjithë efektivët e thjeshtë kanë lidhje me "kupolën" e krimit, por asnjë nuk është imun ndaj ryshfeteve dhe shkeljeve të tjera sado të vogla të jenë. Në fakt janë të gjitha të paligjshme dhe vetëm sa cënojnë besimin tek uniformat blu. Edhe pse të paktën në numër, këto arrestime baltosin të tjerët që përgjatë gjithë verës do të duhet që të shërbejnë pa asnjë ditë pushim për vendas dhe të huaj. E që me pa të drejtë, do t'u atashohen ngjarje të tilla.
Paligjshmëri ka dhe do të ketë, por çështja është deri në çfarë niveli! Sa larg shkon dhe kush i frymëzon sjellje të tilla?/ZËRI