Aktualitet

Gara në Universitete/ Zgjidhen Rektorët në Shkodër, Korçë dhe Durrës, Erald Bakalli triumfon te Artet

Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve u prit me kureshtje përfundimi i votimit, ku me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit.

f.t
Gara në Universitete/ Zgjidhen Rektorët në Shkodër,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Sot po mbahen zgjedhjet në universitete, ku po zhvillohen në 12 institucione të arsimit të lartë publik. Drejtuesit po garojnë për pozicionin e rektorëve, dekanëve dhe shefave të departamenteve, shumica e të cilëve janë pa kundërshtarë në garë. Zgjedhjet nisën në orën 08:00 dhe vijuan deri në 16:00.

Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve u prit me kureshtje përfundimi i votimit, ku me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit. Në Univeristetin e Tiranës, rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv/rektorin Akli Fundo, që kërkon pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.

Kur në zgjedhjet për organet drejtuese të universiteteve ka vetëm një kandidat, fleta e votimit parashikon mënyrën e votimit me pro ose kundër. Dhe kur ka mbi 50% të votave kundër, nuk njihet rezultati dhe do duhet të përsëriten zgjedhjet

Në Universitetin e Shkodrës kandidatët për rektorë ishin Tonin Gjuraj, Rajmonda Kcirja dhe Nertila Ljarja. Tonin Gjuraj, i cili hodhi dhe akuza për parregullsi të procesit zgjedhor është zgjedhur rektor. Ai u shpall fitues edhe pas leximit të votave të studenteve. Me herët, Gjuraj fitoi garën për votat e pedagogëve.

“Në dukje procesi duket normal, megjithatë unë jam në këtë garë i disavantazhuar. Është cenuar integriteti i kësaj gare, jam në një situatë të pabarabartë për arsye shumë të thjeshta. Ligji 80/2015 pranon kandidatin për rektor nga jashtë institucionit dhe nga ana tjetër ky komision institucional i zgjedhjeve nuk më lejon mua të kem vëzhgues nga jashtë institucionit. Kanë refuzuar çdo kërkesë timen në mënyrë permanente”, tha ai gjatë procesit.  

Procesi i votimit u zhvilllua edhe në Universitetin e Korçës, “Fan Noli”, ku në garë ishin tre petagogë: Irena Nikaj, Lorenc Ekonomi dhe Robert Damo. Pedagogu Lorenc Ekonomi ka fituar garën me 48% të votave të studentëve dhe të pedagogëve. Ai ka siguruar 75 vota nga stafi akademik dhe 166 vota nga studentët.

Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metallën. Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj. Ndërsa në Gjirokastër dhe Elbasan, fitorja është e sigurt për kandidatët e vetëm Jaho Cana dhe Elvira Fetahu. /ZËRI

Poll

MOS HUMB