
TIRANË- Ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri dhe ish zv-kryetari i tij, Avdulla Cano u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë. Por, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar rekurs në Apelin e GJKKO-së me pretendimin se duhet që të shpallen fajtorë për disa vepra penale.
SPAK kërkon nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënimin me 1 vit burg të Kaprit dhe heqjen e të drejtës për të mbajtur funksione publike.
Por përveç Kaprit dhe Canos, kërkohet edhe dënimi i bashkëpunëtorëve të tyre: Nexhmi Torra, me detyrë ish-koordinator i Njësive Administrative pranë Bashkisë Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal; Enkeleida Kllomollari me detyrë ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore pranë Bashkisë Pogradec, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal; Gurali Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal; Safet Blaceri, me detyrë ish-punëtor mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.
SPAK i akuzon të pandehurit për dy episode, i pari lidhet me një tender për blerjen e druve me vlerë afro 9 milionë lekë të reja, ndërsa akuza e dytë është ajo e pengimit të procesit zgjedhor në vitin 2019, pasi i kanë vënë kyçin tre shkollave që do të shërbenin dhe si qendra votimi. Sipas SPAK, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”.
Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë drynin dy shkollave dhe një kopshti, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019./ZËRI