Aktualitet

SPAK sekuestron një vilë në Palasë dhe një Lamborgini, pronari i akuzuar për trafik droge në Gjermani

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është vendosur në sekuestro një vilë në Palasë dhe një mjet luksoz tip “Lamborgini Aventador".

k.m.
SPAK sekuestron një vilë në Palasë dhe një Lamborgini,
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë nën sekuestro dy pasuri të Visar Miftarit, pas dyshimeve se janë krijuar në burime kriminale. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është vendosur në sekuestro një vilë në Palasë dhe një mjet luksoz tip “Lamborgini Aventador".

Hetimi ndaj pasurive të 44-vjeçarit me shtetësi gjermane në Shqipëri nisi në mars të këtij viti, me një kërkesë të Gjermanisë. Shqiptari, i ndaluar në Frankfurt, ai dyshohej për tregtim të kokainës dhe kanabisit në kuadër të një grupi kriminal. Për 5 vite aktivitet, sipas vendimit për sekuestro të gjykatës gjermane të Darmstadt, 44-vjeçari dyshohej se kishte përfituar nga tregtimi i drogës të paktën 11.2 milionë euro.

Sipas "A2CNN", hetimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbuloi se në vitin 2022, Miftari kishte blerë një vilë në vlerën e 260 mijë eurove në një rezidencë luksoze në Palasë. Shuma e parave për blerjen e vilës dy katëshe, me sipërfaqe të katit të parë 72 m2 dhe një sipërfaqe parcele prej 362 m2, ka kaluar përmes një transferte bankare nga Gjermania në Shqipëri.

Pas arsyetimit të publikuar nga SPAK, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për të vendosur në sekuestro pasurinë e shqiptarit. Tashmë, GJKKO ia ngarkoi Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara administrimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara./ZËRI 

Poll

MOS HUMB