FUSHË KUQE- Aleks Lulashi është vendosur në prangat e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”. 40-vjeçari nga Gorrea e Fushë Kuqes kishte në pronësi një banesë, e cila shërbente si bazë ku furnizoheshin me mjete grupe kriminale. Gjatë kontrolleve në banesën e tij janë gjetur disa motora të vjedhur, një mjet i modifikuar, targa të vjedhura dhe shumë materiale të tjera që do të përdoreshin nga grupe kriminale. Banesa në emër të Lulashit, edhe pse e pabanueshme ishte kthyer në bazë nga grupet kriminale për të futur mjetet e vjedhura. Pasi vidheshin, atje mjeteve u ndryshohej dhe numri i shasisë.
ÇFARË U ZBULUA NË BANESËN E LULASHIT:
-1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit;
-5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur;
-4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë;
-400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim;
-Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.
40-vjeçari është vendosur në pranga pasi akuzohet për disa vepra penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Deri më tani, ai nuk isshte një person me precedentë të mëparshëm, e po ashtu është hera e parë që bie në prangat e Policisë për mbështetje në ngjarje kriminale. Megjithatë, është ende e paqartë se për cilën ngjarje ka ndihmuar ai. Vetëm pak ditë më parë në Lezhë u vra Eno Nikulaj por nuk dihet nëse aksioni i sotëm ka lidhje me zbardhjen e vrasjes së 40-vjeçarit.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Lezhë/Vijon operacioni policor kombëtar "Sundimi i ligjit", me goditje të njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale. Zbulohet në Fushë Kuqe, një bazë ku furnizoheshin me mjete, grupe kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve të rënda kundër personit. Vihet në pranga pronari i banesës që shërbente si bazë. Në kuadër të operacionit të koduar "Sundimi i ligjit" dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi, specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, dhe për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, me mbështetjen dhe të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tjera të rënda kriminale, pasi kanë zbuluar një ambient ku mbaheshin një sërë mjetesh dhe sendesh që do t’iu shërbenin grupeve kriminale.
Në fshatin Gorre, njësia administrative Fushë Kuqe, shërbimet e Policisë Kriminale të Lezhës dhe ato të FNSH Shkodër, kanë kryer kontrolle në një banesë të vjetër në pronësi të shtetasit A. L.. Nga kontrollet në brendësi dhe përreth saj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: -1 automjet tip "Mazda", me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit; -5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur; -4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; -400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim; -Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi A. L., 40 vjeç, për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje", "Trafikim i mjeteve motorike", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Vjedhja". Strukturat hetimore vijojnë intensivisht punën me qëllim arrestimin e shtetasve për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI