
TIRANË- Arta Jella dhe Bledar Maksuti janë dy prokurorët që nga sot do ti shtohet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Emërimi i tyre është bërë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa i parapriu një zhvillim i pazakontë, ai i spostimit nga gara të prokurorit Ndini Tavani. Ky i fundit, edhe pse ishte shpallut fitues nga vetë KLP, nuk u lejua që të bëhej pjesë e Prokurorisë së Posaçme, nga një komision verifikimi i ngritur pranë SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur ditën e sotme për të votuar prokurorët e rinj të SPAK.
Arta Jella dhe Bledar Maskuti nga ana tjetër, sipas KLP plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën pranë Prokurorisë së Posaçme. Prokurorja Jell aka kaluar me sukses kontrollin për pasurinë dhe atë të verifikimit të pastërtisë së figurës. Në këtë mënyrë, Anita Jella nuk ka pengesë ligjore për t’u ngritur në detyrë. Me 8 vota pro, Jella është votuar prokurorja e re e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në lidhje me kandidatin tjetër, Bledar Maksutin, Komisioni i Posaçëm në SPAK ka kryer verifikimet për pasurinë dhe pastërtinë e figurës duke theksuar se Maksuti i plotëson kushtet e sigurisë për të ushtruar detyrën në SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 8 vota pro miratoi ngritjen në detyrë për një mandat 9-vjecar të prokurorit Bledar Maksuti në SPAK.
Komisioni i Posaçëm në SPAK i kërkoi KLP-së mosemërimin e Ndini Tavanit në Prokurorinë e Posaçme. Pas kësaj kërkese, Këshilli i Lartë i Prokurorise vendosi me 8 vota pro moscaktimin e Ndini Tavanit si prokuror në SPAK. Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, ndërkohë që vetë Ndini përmes një letre, shprehu pëkënaqësinë e tij në lidhje me vendimin e KLP-së. Ai ushtron detyrën pranë Prokurorisë së Tiranës, ndërsa në letër shprehej i fyer nga refuzimi për të qenë pjesë e SPAK, ndërsa pretendoi për shkeljen e të drejtave. /ZËRI