Aktualitet

'Strehë e evazionit fiskal', Prokuroria e Tiranës i përgjigjet akuzave të Ramës, publikon shifrat

Bazuar në një kërkesë për informacion, prokuroria vendosi në dispozicion të dhënat statistikore lidhur me kallëzimet e mbërritura nga organet tatimore dhe doganat prej vitit 2021 e në vijim, si dhe për ato për të cilat janë përmbyllur çështjet.

E.K
'Strehë e evazionit fiskal', Prokuroria e Tiranës i
Edi Rama

TIRANË- Prokuroria e Tiranës i është përgjigjur këtë të martë akuzave të bëra nga Kryeministri Edi Rama, i cili këtë të martë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët mes grupit të PS dhe kabinetit qeveritar tha se Prokuroria e Tiranës ndryshe nga SPAK nuk ka bërë asnjë reagim për 80 raste të evazionit fiskal ku janë shmangur miliona euro detyrime nga persona që ndryshe konsiderohen si “oligarkë”.

Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela i pyetur nga BIRN tha se nuk mund të bënte komente në lidhje me akuzat e kreut të qeverisë, por ndërkohë, bazuar në një kërkesë për informacion, prokuroria vendosi në dispozicion të dhënat statistikore lidhur me kallëzimet e mbërritura nga organet tatimore dhe doganat prej vitit 2021 e në vijim, si dhe për ato për të cilat janë përmbyllur çështjet.

“Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë dërguar në total 106 kallëzime, nga të cilat 28 në vitin 2021; për 2022-in 43 kallëzime penale; në vitin 2023 janë depozituar 26 kallëzime penale dhe 9 kallëzime penale në 2024-ën. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave janë referuar gjithsej katër kallëzime penale, një në vitin 2021 dhe tre në 2022-in. Prej këtyre kallëzimeve, janë përfunduar gjithsej 50 çështje. Në vitin 2021 janë dërguar për gjykim dy çështje dhe një tjetër është pezulluar; në 2022-in janë përfunduar 17 çështje, nga të cilat shtatë janë dërguar për gjykim, shtatë për pushim dhe për tre prej referimeve është vendosur mosfillim procedimi penal; gjatë vitit 2023 janë përfunduar 30 çështje, nga të cilat nëntë janë dërguar për gjykim, 10 kërkesa për pushim, nëntë mosfillime dhe për dy raste është shpallur moskopetenca. Përsa i përket totalit të çështjeve të përfunduara, rezulton se në 35% e tyre janë dërguar në Gjykatë me objekt kërkesë për gjykim, për periudhën e kërkuar. Kjo përqindje është e njëjtë me rastet e veprave tjera penale të cilat janë dërguar kërkesë për gjykim”, sqaron prokuroria në përgjigje.

Çfarë tha Rama sot?

Edi Rama: SPAK dhe prokuroria e Tiranës janë në distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi, në prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiscal. Janë 80 raste. Tani e kam humbur edhe numërimin. Raste që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evasion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë, i kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra milioan euro të shmangura nga detyrimet tatimore. Tjetër drejtësi në SPAK tjetër drejtësi atje në prokurorinë e Tiranës. Nuk ka mal me dosje që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë prokurorinë e Tiranës./ZËRI

Poll

MOS HUMB