
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë një status falenderues pas takimit që zhvilloi në Milano me shqiptarët që kanë emigruar në Itali. Ai ka publikuar një video, përmes të cilës, falenderon të gjithë shqiptarët që morën pjesë në këtë takim. Gjithashtu, kreu i qeverisë u ka kërkuar ndjesë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të futen në sallë. Sipas Ramës, mbingarkesa kishte trembur dhe autoritetet që kishin pasur frikën e ndonjë incidenti.
Statusi i Ramës:
FALEMINDERIT është fjala e rastit, po që në këtë rast nuk e thotë dot as së largu ndjenjën krejt të veçantë të kësaj dite të jashtëzakonshme shqiptarie në Itali. Përulësisht mirënjohës për emocionin e paharrueshëm dhe përulësisht ndjesë mijërave që mbetën pa u futur dot në sallën, që u mbush tej kapacitetit. Nuk do t’i harroj as fytyrat e shqetësuara të autoriteteve të sigurisë, që kishin frikën e ndonjë hataje nga mbingarkesa e shkallëve, teksa njerëzit kërkonin të hynin akoma më shumë. Ç’të bëja, u thashë qetësohuni, ne jemi ata të maleve mbi anije, as nuk kthehemi dot mbrapa as nuk na ndalon dot gjë të vazhdojmë përpara. E marr me mend ç’menduan, po s’po e them, rëndësi ka që kur u krye filluan të qeshin edhe ata. Shumë shumë shumë faleminderit.