Aktualitet

Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: I paqartë, rrezikon që ta bëjë më të vështirë sistemin penal

Në tryezën konsultative për Kodin e ri Penal, Sadushi theksoi se pas publikimit të projektit të Kodit Penal, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces.

zh.ll
Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: I paqartë, rrezikon që ta
Sokol Sadushi

TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, është shprehur se drafti i ri mbetet i paqartë, jo gjithmonë koherent dhe shpesh e rrezikon proporcionalitetin dhe humanizmin e drejtësisë penale. Në tryezën konsultative për Kodin e ri Penal, Sadushi theksoi se pas publikimit të projektit të Kodit Penal, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces. Lidhur me këtë, Sadushi shtoi se kanë bërë një analizë me vërejtje dhe propozimet konkrete, të përmbeldhura në një dokument prej 50 faqesh. 

"Projekti, ndonëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, ta bëjë atë më të vështirë në zbatim. Kur u prezantua projekti në korrik, ngrita disa pyetje që mbeten thelbësore edhe sot: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema? Këto nuk janë pyetje retorike, por thelbi i reflektimit për një reformë, që do të përcaktojë fytyrën e drejtësisë sonë penale për dekadat e ardhshme. Pas publikimit të projektit të Kodit Penal dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces, përmes një analize të hollësishme të zhvilluar nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Kolegjit Penal. Kjo analizë, e mbështetur në praktikën gjyqësore dhe në nevojën për një ligj penal të zbatueshëm dhe të drejtë, është përmbledhur në një dokument të plotë prej afro 50 faqesh, me vërejtje, komente dhe propozime konkrete. I hartuar me seriozitet profesional dhe miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ai i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës, dhe sot paraqitet në këtë tryezë si shprehje e përgjegjësisë institucionale dhe e reflektimit profesional të Gjykatës së Lartë.", tha Sadushi. 

Kodi i ri Penal do të zëvendësojë atë aktual të vitit 1995, në mënyrë që të reflektojë 61 direktiva të BE-së në fushën penale. Në draft vihen re disa risi ku përfshihen vepra të reja penale që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, pornografinë, por edhe me krimet kibernetike. Po ashtu Kodi i ri përfshin ashpërsim masash për krimet ndaj të miturve. Janë rikonceptuar edhe masat edukative për të miturit duke u bazuar në zhvillimin e plotë të tyre fizik, mendor, moral dhe social. Një tjetër pikë është edhe shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit. Në Kodin e ri Penal propozohet lirimi me kusht për të dënuarit e përjetshëm, atëherë kur përmbushen kushtet./ZËRI

Poll

MOS HUMB