Aktualitet

Tentoi vrasjen e një personi në Berat dy vite më parë, ektradohet nga Spanja Ermal Gora

Është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë shtetasi Ermal Gora 46 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për një tentativë vrasjeje të ndodhur në maj 2023 në Berat

E.K
Tentoi vrasjen e një personi në Berat dy vite më parë,
Foto ilustruese

TIRANË- Ermal Gora, 46-vjeç, është ekstraduar nga Spanja, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia, për një atentat të dështuar në qytetin e Beratit. Gora së bashku me tre persona të tjerë, dy prej të cilëve janë identifikuar si Hamit Berisha dhe Arli Shehu, në vitin 2023, planifikonin vrasjen e një personi në lagjen Kala.

Plani i tyre dështoi pasi u pikas nga policia e Beratit, pasi mjeti ku gjendeshin armët që do të përdoreshin në atentat, u gjet i parkuar në fshatin Moravë, pasi autorët e ndiqnin objektivin e tyre me një tjetër makinë, për të mos rënë në sy.

NJOFTIMI I POLICISË

Ekstradohet nga Spanja një 46-vjeçar, i cili në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, në maj të vitit 2023, tentuan të kryenin një vrasje në qytetin e Beratit.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua, në kuadër të operacionit “The Ëanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. G., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas dyshohet se, në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, kanë tentuar të vrisnin 1 shtetas.

Ngjarja kriminale u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB