
SHBA- Disa ditë pas atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump, pjesët kanë filluar të bashkohen rreth asaj se çfarë po bënte sulmuesi para se të merrte vendimin për të shtënë. Një ditë para të shtënave, sipas mediave të huaja, Thomas Matthew Crooks shkoi në një poligon dhe u stërvit me pushkë. Po ashtu, kishte blerë edhe municion online.
Ai i kërkoi punëdhënësit të tij (punonte në një azil) që të merrte pushim ditën që ndodhi sulmi, duke i premtuar se do të kthehej të nesërmen. Crooks po ashtu, kërkoi në internet si për Trump ashtu edhe Presidentin Joe Biden, por edhe datën e mitigunt që do të mbahej në Butler. Atë ditë la edhe një mesazh në platformën e lojrave Steam, ku shkruante se: 13 korriku do të jetë premiera ime, shihni se çdo ndodhë.
Në ditën e atentatit, ai pyeti të atin nëse mund të merrte hua pushkën "AR-15" duke i thënë se kishte në plan që të praktikohej në një poligon qitjeje. Për shkak se babai i Crooks-it e kishte lënë edhe më parë të përdorte armën, nuk dyshonte se djali i tij po planifikonte ndonjë gjë shqetësuese.
Crooks shkoi në një dyqan lokal armësh atë ditë, ku bleu 50 fishekë 5.56 mm. Ai gjithashtu u ndal në një depo për të blerë një shkallë 5 metra, e cila meqë nuk u gjet në vendngjarje, nuk besohet të jetë përdorur për të hipur në çatinë nga ku edhe qëlloi me armë zjarri.
Ish-presidenti dhe kandidati presidencial nga radhët e republikanëve, Donald Trump, i ka shpëtuar një atentati ndaj tij në një tubim në Pennsylvania. Autori i ngjarjes ishte një 20 vjeçar, Thomas Matthew Crooks. Një person pjesëmarrës ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Trump mori një plagë në veshin e djathtë./ZËRI