
BRITANI E MADHE- Një shqiptar i kërkuar për vrasje në vendin tonë ka fituar të drejtën për të qëndruar në Britaninë e Madhe. Kjo vetëm falë Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Fatmir Bleta, 64 vjeç, u largua nga Shqipëria dy muaj pasi dyshohet se qëlloi me armë kallashnikov në kokë një burrë, për të cilin u dënua në mungesë me 13 vjet burg. Ai shkoi në Britaninë e Madhe me familjen e tij dhe kërkoi azil duke pretenduar se ishte nga Kosova. Për këtë mashtrim, u dënua me 33 muaj burg në vitin 2018.
Bleta, i cili ka 4 fëmijë, luftoi ekstradimin nga Shqipëria për të vuajtur dënimin në vendin tonë duke pretenduar se nuk do të kishte të drejtë për një rigjykim dhe nuk iu njoftua paraprakisht për procedurat. Kështu, Bleta arriti që të shmangte ekstradimin e tij.]
Dëbimi 'tepër i ashpër' ndaj familjes
Rasti vjen pasi The Telegraph zbuloi në fillim të kësaj jave se një kriminel shqiptar, i cili u kthye fshehurazi në Britani pasi u deportua, fitoi të drejtën e qëndrimit sepse dëbimi i tij do të ishte "tepër i ashpër" për familjen e tij dhe do të shkelte nenin 8 të KEDNJ. Robert Jenrick, ish-ministri i emigracionit tha: Përsëri GJEDNJ është përdorur nga gjyqtarë aktivistë për t'i dhënë përparësi të drejtave të një krimineli mbi sigurinë e publikut britanik. Është një turp. Mijëra kriminelë të huaj do të mund t'i nxjerrim nga vendi ynë vetëm nëse largohemi.
Media britanike zbuloi se dy nga fëmijët e Bletës janë dënuar dhe burgosur për trafik droge. Djali Dorian, 37 vjeç, po vuan një dënim me 18 vjet burg për trafik kokaine, ndërsa vajza Sara, 28, një ish-aktore, u burgos me katër vjet për furnizim me drogë të klasit A dhe B.
Bleta shkoi në Britaninë e Madhe në vitin 1998 pas vrasjes që bëri. Ai punonte si roje në një rezervuar kur atij dhe kolegut të tij iu afrua një person që njihnin. Kolegu ishte dëshmitar i Bletës, i cili në ato momente kishte një kallashnikov në dorë. Kolegu i tha që të mos luante me armën, por Bleta ka tërhequr këmbëzën dhe e ka qëlluar në kokë duke i marrë jetën në vend. Pasi iku në Britani, ai fitoi nënshtetësinë britanike në vitin 2017, por u dënua se kishte dhënë një deklaratë të pavërtetë për të siguruar lejen e qëndrimit. Ndaj edhe u dënua me 33 muaj burg.
Sa i përket krimit në Shqipëri, gjyqtarët refuzuan një kërkesë për ekstradim nga Shqipëria me arsyetimin se ai nuk u arrestua kurrë dhe se nuk kishte asnjë material që të provonte se ai e dinte datën dhe vendin e gjykimit të tij. Megjithatë, ekipi ligjor arriti që të ndryshonte vendimin dhe çështja përfundoi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Atje u hodh poshtë kërkesa për ekstradim e Bletës. Ky i fundit, i kontaktuar nga "The Telegraph" në shtëpinë e tij në perëndim të Londrës, pranoi se kishte mbërritur në Britaninë e Madhe në vitin 1998, por mohoi të ishte dënuar për vrasje.
"Unë jam i pastër nga gjithçka. Edhe nga gjykata. E keni gabim, kontrollojeni,"-tha ai.
Vajza e tij tha: Faktet janë krejtësisht të gabuara. Babai im u shpall i pafajshëm. Ai u fajësua dhe ia doli të vërtetonte që ishte i pafajshëm. Nëse vërtet shikoni dokumentet dhe dokumentacionin që mund t'ju dërgoj, ai është "i pastër". Ai nuk ishte as në Shqipëri kur ndodhi vrasja. Babai im është shumë i sëmurë dhe e vetmja arsye që ai ka marrë ndonjëherë një urdhër dëbimi është si rezultat i paaftësisë së Ministrisë së Brendshme për të bërë punën siç duhet.
Lidhur me rastin, një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha: Do të ishte e papërshtatshme të komentohej çështja ndërkohë që ka procedura ligjore në vazhdim./ZËRI