
TIRANË- Një tjetër rast tragjik i aksidenteve në punë shënohet këtë të hënë në vendin tonë. Viktimë ka mbetur një 28-vjeçar, i cili ka rënë nga lartësia e pallatit ku ishte duke punuar në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Kushtet e sigurisë në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Prodhojnë çdo vit dhjetra viktima në vendin tonë. Jo më larg se dy javë më parë dy viktima u shënuan në Shëngjin, pa harruar vdekjet në miniera apo në sektorë të tjerë të punës fizike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 27.05.2024, rreth orës 08:20, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, në një pallat në ndërtim e sipër, duke punuar ka rënë nga lartësia shtetasi A. F., 28 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka quajtur alarmante vdekjen e 5 personave në vetëm një muaj në vendin tonë.
KSSH shprehet se shkak i aksidenteve në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
“Alarm, 5 të vdekur nga aksidentet në punë në 1 muaj! Në një kantier ndërtimi në Tiranë sot u shënua tragjedia e radhës, kur një 28 vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme.
Edhe këtë herë shkak i aksidentit në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
KSSH i shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky është aksidenti I 5 në punë më viktima për këtë muaj.
Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatori Armand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj.
Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori i ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni.
Këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria, ndaj institucionet që mos qëndrojnë indiferente.”/ZËRI