Aktualitet

Trafik droge nga Tirana në Kosovë, arrestohen 5 persona, në kërkim 5 të tjerë

Mësohet se grupi bashkëpunonte edhe me 11 anëtarët e organizatës tjetër në Gjirokastër

F.I
Trafik droge nga Tirana në Kosovë, arrestohen 5 persona, në
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Një grup kriminal që shisnin drogë në lokale në Tiranë dhe më pas e trafikonin në Kosovë është goditur nga policia. Në kuadër të operacionit të koduar “Tentakulat” janë arrestuar 5 persona dhe janë shpallur në kërkim 5 të tjerë. Të arrestuar janë: Dritan Uka, Alban Grori alias Alban Gruri, Mehdi Gjoka, Ylber Tahiri alias Ylli Hida dhe Ramazan Doçi. 

Mësohet se grupi bashkëpunonte edhe me 11 anëtarët e organizatës tjetër në Gjirokastër, që u godit gjatë operacionit 'Crossborder line' në nëntor 2024. Droga merrej kryesisht në zonat e Dibrës dhe Krujës dhe më pas trafikohej apo shpërndahej.

Njoftimi i Policisë:

Në kuadër të operacionit “Tentakulat”, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Departamenti të Policisë Kriminale të DPPSh-së, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Dibër, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasit: D. U., 45 vjeç; A. G. alias A. G., 47 vjeç; M. Gj., 56 vjeç; Y. T. alias Y. H., 51 vjeç dhe R. D., 30 vjeç.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. D. alias A. D., 51 vjeç, A. D., 48 vjeç, N. G., 35 vjeç, E. T., 24 vjeç dhe I. P., 34 vjeç.

Këta shtetas akuzohen se të organizuar si grup, që nga viti 2019, kanë siguruar lëndë narkotike Cannabis Sativa, nga zona të ndryshme në Krujë dhe Dibër, dhe më pas e kanë shitur në lokale, në Tiranë, dhe e kanë trafikuar në Kosovë. Nga hetimet dyshohet se 10 shtetasit janë bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre veprave penale, me 11 shtetas të identifikuar nga Policia e Gjirokastrës, gjatë operacionit policor të koduar “Crossborder line”, në muajin nëntor 2024.

Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB