
TIRANË- Fundjava ka sjellë trafik të rënduar në autostradë, kryesisht në atë që lidh Tiranën me Shëngjinin dhe Rinasin. Largimi i pushuesve nga bregdeti i Shëngjinit, si dhe i të gjithë atyre që kishin shkuar të ndiqnin festivalin Unum, ka sjellë trafik nga Rana e Hedhun deri në Milot.
Efektivët e policisë rrugore janë të vendosur në disa pika në mënyre që të orientojnë drejtuesit e mjeteve, por sërish trafiku ka qenë shumë i rënduar.
Trafik ka pasur edhe në rrugën e Rinasit. Shumë qytetarë janë gjetur në autostradë mes një radhe kilometrike automjetesh ndërkohë që duhet të shkonin për në aeroportin e Rinasit. Edhe autostrada që të çon për në Elbasan ka pasur trafik. Tashmë sezoni ka nisur dhe si duket kjo është situata me të cilën do të përballen qytetarët shqiptarë dhe turistët.