
TIRANË- Trafiku në Tiranë është kthyer në një problem serioz për qytetarët kryeqytetas të cilët përballen me orë të gjata vonesash dhe stresi. Lidhur me këtë situatë Policia Rrugore ka ndërmarrë një plan masash me qëllim uljen e trafikut.
Duke folur në Report Tv, komandanti i qarkullimit në Tiranë, Gerhard Baka nënvizon se ngarkesa e trafikut në Tiranë vijnë për shkak të parkimet e gabuara. Nisur nga kjo, Policia Rrugore, tashmë përpos masës administrative do të bëjë dhe largimin e mjeteve me karrotrec.
“Një ndër shkaktarët kryesorë të ngarkesës së trafikut janë parkimet e gabuara. Nisur nga kjo, është konkuduar që krahas masave administrative që kemi aplikuar deri tani, do të sanksionohet dhe me masa plotësuese, me spostim mjet ngritës. Janë burim trafiku dhe ngjarjesh rrugore.”- tha Baka.
Sipas ekspertit rrugor Fadil Likaj kjoi është një nismë e mirë e mirë jo vetëm për menaxhimin e trafikut por edhe për sigurinë rrugore, pasi bëhen gjithashtu shkak për aksidente.
“Këtë nismë unë e shoh në dy këndvështrime së pari me menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore. Parametrat rrugëve në Tiranë janë të vogla në krahasim me mjetet.”- tha Likaj.
Baka shpjegoi gjithashtu edhe sesa do të jetë vlera e gjobës që do të duhet të paguajë shoferi që parkon gabim. Masa administrative do të kapë vlerën e 7 mijë lekëve të reja.
“Masa administrative për parkimin e gabuar është 3 mijë lekë të reja kur je në resht të dytë dhe kësaj i bashkëngjitet dhe vlera e spostimit me mjet ngritës, diku te 4 mijë lekë. Për një spostim në mjet ngritës, në rast se është konstatuar në resht të dytë, vlera e masës administrative do të jetë 7 mijë lekë. U bëj apel të zgjedhin mjete të ndryshme alternative në kryeqytet, në rast e kanë të pamundur të gjejnë vende parkimi, në vendet ku ne shpesh vëmë këto masa janë zona që në fakt nuk është se nuk ka parkime”, tha Baka.
I pyetur nëse ka një vendndodhje specifike për mjetet të cilat do spostohen me karrotrec, Baka tha se janë ende në diskutime e sipër për këtë pjesë.
"Akoma jemi në diskutim se ku do t’i vendosim këto, ose pika e ruajtës së këtyre mjeteve”, tha ai.
Sipas Policisë 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara dyshe, aty ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e vëmendjes për të lehtësuar qarkullimin. Ndër zonat më problematike vijon të mbetet Myslym Shyri, zona e 21 dhjetorit, Rruga e Kavajës dhe shumë akse të tjera./Zeri.ai