Aktualitet

Trafikuan mbi 650 emigrantë nga Kameruni dhe Bangladeshi, SPAK dërgon për gjykim 17 persona

17 personat dyshohet se përmes agjencive në Emiratet e Bashkuara Arabe rekrutonin të rinj që kërkonin të punonin në vendin tonë, por që qëllimi i tyre ishte vendet e BE-së.

F.I
Trafikuan mbi 650 emigrantë nga Kameruni dhe Bangladeshi, SPAK dërgon
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 17 persona, të cilët akuzohen se kalonin emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Grupi kriminal trafikonte qindra shtetas nga Azia dhe Afrika, të cilët hynë në vendin tonë me kontrata pune dhe që më pas u larguan përmes transportit tokësor.

17 personat dyshohet se përmes agjencive në Emiratet e Bashkuara Arabe rekrutonin të rinj që kërkonin të punonin në vendin tonë, por që qëllimi i tyre ishte vendet e BE-së. Dy prokurorët e çështjes, Elida Kackini dhe Altin Dumani, thonë në fashikull se në skemën e punësimit fiktiv u përdorën agjenci punësimi me seli në Tiranë, Vlorë dhe Durrës.

Nga viti 2023 deri në prill 2024, Shqipëria u përdor për tranzit për kalimin e paligjshëm të 650 shtetasve nga Kameruni dhe Bangladeshi, të cilët përmenden në dosje.

Në dosjen esiguruar nga TopChannel thuhet se secili nga të akuzuarit kishte rol aktiv, që nga transporti nga aeroportet e Dubait dhe Kamerunit, pritësit në Rinas, nxjerrja e vizës, deri te punësimi fiktiv në subjekte të ndryshme. Shoqëritë e përfshira dyshohen të jenë mbi 15 të tilla, duke nisur nga një agjenci udhëtimi me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe deri te subjektet në Shqipëri që operonin në fushën e konfeksioneve dhe konservimit.

Ortakët apo administratorët e këtyre të fundit dyshohen se lëshonin dosje punësimi fiktive me qëllim pajisjen me vizë pune të të huajve. Në këtë praktikë, sipas akuzave të ngritura të SPAK, u përfshinë edhe zyrtarë të policisë kufitare dhe emigracionit.

Për largimin e tyre u përdor rruga ballkanike: Shqipëri – Kosovë – Serbi e më tej BE.

Për përpilimin e akuzave, ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim, falsifikim dokumentesh, dhe grup kriminal, SPAK ju referohet edhe përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale, ku të dyshuarit shfaqen duke pritur dhe akomoduar punëtorët fiktivë.

Poll

MOS HUMB