SHKODËR- Një ditë pas tragjedisë që tronditi Postribën, do t'u jepet sot lamtumira e fundit Bleona Çelajt dhe dy fëmijëve të saj të mitur, të cilët humbën jetën në zjarrin që përfshiu banesën e tyre në fshatin Domen.
24-vjeçarja dhe dy djemtë e saj, Amari 3-vjeç dhe Anuari 1-vjeç e gjysmë do të përcillen sot në banesën e fundit në ceremoninë mortore që do të mbahet në varrezat e Domnit.
Përmes një njoftimi publik, familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 15:00, ndërsa pritja e ngushëllimeve do të bëhet në Golem, te “Shpëtimi”. Familja do të hapë dyert për ngushëllime gjatë tri ditëve.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së mërkurës, 29 korrik, kur banesa në Domen të Postribës u përfshi nga flakët. Brenda saj ndodheshin nëna me dy fëmijët, të cilët nuk mundën të shpëtonin.
Sipas burimeve, familja kishte ardhur më 15 korrik nga Gjermania për pushime dhe ishte strehuar në shtëpinë e tyre në Golem të Shkodrës. 24-vjeçarja kishte shkuar në banesën e vjetër, në pronësi të prindërve të saj, për ta pastruar. Ndërkohë, babai i 24-vjeçares dhe bashkëshorti i viktimës, Besmir Çelaj 35-vjeç janë larguar drejt qendrës së fshatit për të blerë diçka në market, ndërsa Bleona Çobaj ka mbetur në banesë me dy fëmijët.
Nga dyshimet paraprake, 24-vjeçarja ka ndezur bombolën e gazit, e cila ka shpërthyer menjëherë duke i marrë jetën asaj dhe fëmijëve. Burime bëjnë me dije se një qytetar ka parë zjarrin nga një distancë e largët dhe ka telefonuar zjarrfikësit. Por, kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, banesa, e cila ndodhej në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë nga rruga automobilistike, ishte pothuajse tërësisht e djegur. Vështirësia e terrenit ka penguar ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve të emergjencës.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje tragjike./ZËRI