
HIMARË- Një turist amerikan kishte mbetur i bllokuar në zonën e plazhit të Akuariumit në Himarë. Ai ka kërkuar ndihmën e Policisë së Himarës dhe Policisë Kufitare Dhërmi. Turisti ishte dëmtuar në këmbë teksa eksploronte zonën dhe nuk mundte të ecte më, ndaj kishte mbetur i bllokuar në një shkëmb. Efektivët e dërguan në spital për mjekim.
Njoftimi i policisë:
Policia e Himarës dhe Policia Kufitare Dhërmi i vijnë në ndihmë një shtetasi amerikan të bllokuar në zonën e plazhit të Akuariumit. Ditën e djeshme, Salla Operative mori njoftim se një shtetas amerikan kishte mbetur i bllokuar në një zonë të thepisur pranë plazhit të Akuariumit, për shkak të dëmtimeve në këmbë gjatë eksplorimit të terrenit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me ato të Policisë Kufitare Dhërmi, organizuan ndërhyrjen. Shtetasi u lokalizua dhe u nxor nga zona ku ishte bllokuar, me mjet lundrues gomone, dhe më pas u transportua në Spitalin e Himarës, jashtë rrezikut për jetën. Turisti falënderoi shërbimet e policisë për ndihmën e menjëhershme dhe profesionalizmin e treguar. Policia mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe për të ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente.