
ITALI- Një 40-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në arrati prej tre vitesh është arrestuar në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë. Shqiptari, Hektor Shala ishte shpallur në kërkim prej 3 vitesh dhe i kishte shpëtuar autoriteteve italiane vetëm sepse kishte marrë mbiemrin "Shala" të gruas së tij.
40-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi ishte arratisur nga banesa e tij duke e shkelur masën e sigurisë "arrest shtëpie", dënim që e vuante për një grabitje të ndodhur në postën e Meinës në vitin 2013.
Sipas mediave italiane, 40-vjeçari, me precedentë penalë, ishte kthyer në vendlindje ku ishte martuar për t’i shpëtuar kontrolleve dhe kishte marrë mbiemrin e gruas. Kështu Shala mendoi se mund të kthehej lehtësisht në Itali duke pasur një identitet të ri.
Por mendoi gabim pasi u arrestua dhe pas identifikimit u dërgua për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në burgun e Triestes./ZËRI