
RINAS- Një operacion ndërkombëtar i realizuar nga Europol ka çuar në arrestimin e një trafikanti heroine që drejtonte një rrjet kriminal që shtrihej nga Irani në Evropën Perëndimore. 57-vjeçari turk Nihat Ozbek, me banim në Holandë, mësohet se është vendosur në pranga në aeroportin e Rinasit më 23 Nëntor teksa po tentonte që të hynte në Shqipëri.
Për autoritetet e huaja, Ozbek është pronari i ngarkesës prej 703 kilogramë heroinë të sekuestruar në portin e Hamburgut, më 30 gusht 2022. Ngarkesa e kishte origjinën nga Irani dhe ishte e kamufluar në formë sapunësh.
Asokohe, autoritetet e huaja ushtruan kontrolle në prona dhe biznese të 57-vjeçarit dhe të partneres së tij në Roterdam, Holandë. Pas arrestimit në Shqipëri, aktualisht, Nihat Ozbek është në pritje të ekstradimit nga Shqipëria drejt Gjermanisë./ZËRI