
KORÇË- Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, vizitoi familjen e Dritson Kurtit. Familja e Kurtit po përballet me sfida ligjore që nuk kanë prekur vetëm komunitetin rom, por edhe më gjerë. Dritson Kurti u arrestua menjëherë nga Policia, pasi bashkëjetuesja e tij 13-vjeçare solli në jetë një foshnjë në maternitetin e Korçës. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, e cila dënohet me 25 vite burg.
Peleshi u shpreh se e vizitoi familjen për arsye njerëzore, dhe se e kupton qëndrimin e drejtësisë.
“Kam ardhur këtu për arsye njerëzore. E kuptoj plotësisht pozicionin e drejtësisë, por nuk duhet të harrojmë se sot është edhe Dita Ndërkombëtare e Komunitetit Rom, dhe shumë familje të këtij komuniteti po përballen me sfida të ngjashme. Ligji është i drejtë, por edhe traditat që e kanë sjellë këtë realitet duhen sfiduar. Ky nuk është vetëm një problem ligjor, por një plagë sociale që kërkon punë të thellë dhe të qëndrueshme”, shtoi Peleshi.
Gjatë takimit me familjen, Peleshi u shpreh se është rritur vetëdija për ndryshim, që kjo traditë duhet të marrë fund.
“Edhe vetë komuniteti e pranon që kjo është një traditë që duhet të marrë fund. Por paragjykimet dhe mungesa e informacionit vazhdojnë të jenë barriera të mëdha. Duhet të jemi bashkë për ta trajtuar këtë plagë me edukim, me projekte për integrimin e komunitetit dhe me mbështetje sociale. Shpresoj që fjala ime dhe zëri i kësaj familjeje të dëgjohen me kujdes. Nuk është çështje qeverie, është çështje drejtësie dhe ndërgjegjeje. Por gjithashtu është edhe thirrje për t’u zgjuar si shoqëri. Koha për ndryshim ka ardhur,” përfundoi Peleshi.
21-vjeçari Dritson Kurti u arrestua në shtator të vitit 2024, pasi bashkëjetuesja e tij solli në jetë një foshnjë në maternitetin e Korçës. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Familja e tij, dhe bashkëjetuesja kanë protestuar kundër arrestimit të tij, duke u shprehur se ai ishte gjithashtu personi që punonte për familjen dhe se ata janë së bashku me pëlqimin e njëri-tjetrit./ZËRI